Lista e kandidatëve për deputetë, KQZ apel partive: Dita e fundit për dorëzimin 29 prilli
Një nga fazat e rëndësishme të procesit zgjedhor është dorëzimi në KQZ, i listave shumëemërore të kandidatëve për deputet nga partitë politike dhe i kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvend të datës 18 qershor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot partitë politike se dita e fundit për tu regjistruar dhe afati i fundit për dorëzimin e listave të deputetëve është data 29 prill.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu kujton subjekteve zgjedhore se listat e kandidatëve për deputet dhe dokumentacioni shoqërues duhet të dorëzohen brenda datës 29 prill. Pavarësisht së kjo datë përkon me ditë të shtunë, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është ditë pune dhe 29 prilli, është afati i fundit i dorëzimit të listave të kandidatëve, nuk do të ketë më një afat tjetër”, u shpreh zëdhënësja Drilona Hoxhaj.
Përmes kësaj deklarate KQZ sjell në vëmendjen e subjekteve zgjedhore, se listat shumëemërore të kandidatëve për deputet duhet të përmbajnë këto të dhëna:
1. listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;
2. një kopje të dokumentit të identifikimit;
3. deklaratën e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;
4. deklaratën e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;
5. një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse, që mbështesin kandidatin ose partinë, sipas neneve 69 dhe 71 të këtij Kodi.
Për herë të parë, do të dorëzohet edhe lista e plotë e kandidatëve për deputet në formatin elektronik sipas formatit të miratuar nga KQZ, ku veç të dhënave të mësipërme, si e dhënë do të shtohet dhe mëmësia dhe vendlindja.
Bashkë me dokumentacionin e kandidimit që depozitohet nga partitë politike apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, duhet të jetë edhe jetëshkrimi (CV) për secilin kandidat. Kjo risi, do t’u japë zgjedhësve mundësinë të njihen me kandidatët për deputet, për të cilët do të votojnë në zgjedhjet për Kuvend.
KQZ do të bëjë verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe verifikimin e formularëve të dekriminalizimit, për ta përmbyllur procesin e regjistrimit të listave shumëemërore brenda datës 5 maj.
KOHA JONË SONDAZH

