Lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore, diskutimet në grupin e PD-së. Bushati: Nuk bëhet dot pa amerikanët!
Këtë të mërkurë u mbajt mbledhja e grupit parlamentar të PD-së. Mbledhja nisi me prezantimin e Platformës së Reformës Zgjedhore nga Oerd Bylykbashi. Ai tha se duan rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti anëtare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit.
Më tej ai shtoi se kërkohet edhe eliminimi i pabarazisë së votës, listat e hapura, vota e diasporës shqiptare si edhe analizimi i problematikave të shfaqura në zgjedhjet e fundit sa i përket votimit elektronik. Nga ana tjetër deputeti Helidon Bushati është shprehur se nuk mund të të bëhet reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Gazment Bardhi: Mirëdita kolegë. Ndjesë për vonesën, por isha në një videocall me përfaqësues të Institutit Amerikan Republikan, që po na ndihmojnë për funksionimin e Federatës Opozitare dhe zgjati pak më shumë se parashikimi. Sot kemi disa çështje në rend dite. Fillojmë me prezantimim e Platformës së Reformës Zgjedhore.
Tritan Shehu: Mendoj të marrim materialin dhe ta studiojmë.
Helidon Bushati: Ne nuk mund të bëjmë reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve. E theksoj fort sepse nuk mund të bëjmë ne reformë zgjedhore pa mbështetjen e amerikanëve. Vetëm kur përmirësuam marrëdhëniet me amerikanët ne mundem të marrim atë çfarë morëm.
Asllan Dogjani: Unë propozoj se ne duhet të kërkojmë lista të hapura sa i takon propozimeve për reformën zgjedhore. Dhe këto qëndrime duhet t’i bëjmë publike.
Xhelal Mziu: Marrëveshja e 5 qershorit 2020, që u arrit PD & PS,me ndërhyrjen e përfaqësive por jo vetëm të SHBA dhe BE duhet të jetë thelbi i propozimit tonë. Duhet të kërkojmë rrëzimin e ndryshimeve 28 korrik 2020.
Pra duhet të kërkojmë:
1-Rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
2-Vota e 100% e diasporës, jo sipas e-Albania, por të gjithë.
3-Ashpërsimi deri 10 fish të masave penale ndaj çdo kujt që cënon ligjin dhe tjetërson votën e lirë.
4-Listat e hapura ngelen të rëndësishme.
5-Votë detyruese për qytetarët.
6-Votim elektronik dhe numërim elektronik si vendet e BE.