Llatja takim me banorët e fshatit Murras: PS punon për njerëzit, përballë kemi një alternativë të vjetër dhe të dështuar
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe deputeti Luan Duzha takuan banorët të fshatit Murras me të cilët shtruan nevojën që kanë fshatrat e Elbasanit për të vazhduar projektet e nisura. Llatja u shpreh se Bashkia e Elbasanit është e vetëdijshme për problemet e fshatit, ashtu siç janë të vetëdijshëm banorët se ndryshimi ka filluar, një sërë projektesh janë zbatuar dhe të tjera do të vijojnë.
“Po bëhemi gati për një mandat të ri të PS në bashkinë e Elbasanit, një mandat pune, pasi mendojmë se edhe ato sfida që kemi pasur përpara, siç ishte tërmeti apo pandemia i kemi kaluar. Fillojmë me një mandat përpjekjesh të mëdha dhe një mandat për rikthimin e vëmendjes në fshat. Fshati ka shumë nevoja dhe realisht gjëja e parë që bëmë ishte të ndanim përgjysmë buxhetin e qytetin me fshatin. Dhe dalëngadalë kemi bërë investime të shumta në fshat dhe në qytet. Kemi një mandat ku duam të bëjmë shumë punë të mira dhe kemi filluar me një sërë investimesh. Ne para jush vijmë me kokën lart”, u shpreh Llatja.
Teksa kërkoi mbështetjen për një mandat të dytë në drejtim të Bashkisë së Elbasanit Llatja tha se alternativa përballë asnjëherë nuk ka punuar për Elbasanin, por troket sa herë ka votime.
“Ne po bëhemi gati për një mandat të ri. Nuk na vjen mirë që përballë kemi një alternativë të vjetër, të lodhur dhe të dështuar. Po i njëjti kandidat që ka qenë prej shumë kohësh, në 2007 kandidat, pastaj deputet kur ishte PD në pushtet, ka pasur në dorë gjithçka të bënte për Elbasanin dhe nuk ka bërë asgjë. Ka bërë vetëm llafe dhe ka parë interesin e tij. Unë jam i bindur që ne jemi të gjithë bashkë, PS është partia e cila ka treguar se ka punuar për njerëzit, ka treguar që punon për fshatin, ka treguar që punon për qytetin. Kjo është gara për kryetarin e bashkisë së Elbasanit dhe gara bëhet me një platformë, bëhet me një motiv dhe me një vizion. Nuk bëhet as me llafe e as me gënjeshtra e as me premtime boshe siç është bërë deri tani”, tha Llatja, teksa shtoi se Elbasani gjithmonë ka ditur të zgjedhë dhe të vlerësojë të mirën me të keqen.
Ndërsa deputeti Luan Duzha theksoi se puna e Gledit është më e dukshme se çdo fjalim politik, por e rëndësishme, sipas tij, është edhe mbështetja që duhet të marrin kandidatët socialistë të Këshillit Bashkiak:
“Ne kemi ardhur këtu për të kërkuar mbështetjen tuaj për Partinë Socialiste dhe për kryetarin e bashkisë Gledin. Komuna Papër gjithmonë ka qenë përkrahëse shumë e fortë e PS, ndaj ne e kërkojmë këtë përkrahje nga ana juaj pasi dihet që PS është e vetmja forcë politike e cila është forca më serioze që do ta çojë përpara zhvillimin e vendit tonë”, tha Duzha.
Për Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Bukurosh Stafa, krahasimi mes dy kandidatëve që sot i frohen Elbasanit është i pamundur. Stafa tha se ka një diferencë të jashtëzakonshme mes njeriut të punës, Gledian Llatja dhe kundërshtarit që nuk mbahet mend për asgjë. “Sot kemi organizuar këtë takim, jo për të prezantuar kandidatin, se kandidatin e njohim, edhe si njeri, edhe për punët që ka bërë. Ka treguar gjatë kësaj periudhe se e ka arritur atë pjekuri, ka krijuar eksperiencën, i ka mundësitë të vazhdojë dhe t’i bëjë punët më mirë.Kur krahasojmë kundërshtarin me Gledin, ka një diferencë të jashtëzakonshme në shumë pikëpamje. Gledi do fitojë, kjo është e padiskutueshme, por është e rëndësishme që edhe këshilli bashkiak të jetë i PS-së”, tha ai.