Lleshaj: Ata që nuk kanë frikë për jetën e tyre, duhet të kenë respekt për jetën e të tjerëve

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është shprehur se shumica e qytetarëve po e respekton jetën e tyre dhe të tjerëve.

Lleshaj shkruan se ditën e sotme, pas orës 10:00 janë gjobitur 165 persona për mos respektimin e kufizimit të orarit të vendosur.

Ai shton se ata që nuk kanë frikë për jetën e tyre, se paku të tregojnë kujdes për jetën e të tjerëve.

Lleshaj: Shumica absolute e shqiptarëve po respekton jetën e vet dhe të të tjerëve, duke zbatuar rregullat e parandalimit të përhapjes së COVID-19. Por fatkeqësisht ka edhe ndryshe. 165 persona janë gjobitur sot pas orës 10:00 nga Policia e Shtetit, për mos respektim të orarit të kufizimit të lëvizjes. Koha është për përgjegjshmëri të lartë dhe jo për “trimëri” të marrë. Ata që nuk kanë frikë për jetën e tyre, duhet të paktën të kenë respekt për jetën e të tjerëve. Duke qarkulluar në mjedise publike ne shtojmë rrezikun për veten, por dhe për të tjerët. Policia dhe organet e tjera shtetërore janë të angazhuara të sigurojnë zbatimin e ligjit dhe të rregullave të jashtëzakonshme. Që kjo të ndodhë më mirë, kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve të ndërgjegjshëm. Ju lutem raportoni në numrin 112, ose në aplikacionin “Komisariati Digjital” rastet e shkeljes së rregullave të vendosura për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Vetëm kështu do të mund t’ia dalim.

SHKARKO APP