Lobimi rus, gjykata pushon çështjen, Ristani: Fakti nuk ekziston, akuzë e montuar politikisht

Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen ndaj Lulzim Bashës lidhur me lobimin rus.

Të pranishëm në seancën e sotme ishin dy avokatët e Bashës, Eduard Halimi dhe Ivi Kaso.

Lazer Sallaku, i caktuar me short si gjyqtar paraprak, do të vendosë për dërgimin e dosjes në gjyq apo për rikthimin e saj prokurorisë.

Kreu i opozitës Lulzim Basha, ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri i Partisë Demokratike Ilir Dervishi akuzohen për falsifikim të vulave dhe stampave, ndërsa është pushuar hetimi për pastrim të produkteve të veprës penale.

Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA.

Reagimi i Ristanit pas vendimit

Akuzë të montuar politikisht e ka cilësuar ish-deputeti Arben Ristani akuzën ndaj tij, kreut të PD-së dhe Ilir Dervishit.

Ristani ka folur pak minuta pasi gjykata e Tiranës vendosi të pushojë çështjen për falsifikim nga tre zyrtarëve të PD. Ai tha se fakti nuk ekziston dhe se veprimet e PD janë normale dhe të bazuara në ligj.

“Fakti nuk ekziston, veprimet e kryera nuk janë të rrezikshme por janë normale dhe të bazuara në ligj. Për këtë arsye gjykata vendosi të pushojë çështjen. Prokuroria në këtë rast është një rast i pastër për t’i treguar publikut si shndërrohet një organ i drejtësisë kur frustrohet nga dhuna politike. Prokuroria kërkoi dy gjëra më pas vjen edhe një urdhër i tretë që përjashtonte një prej prokurorëve, pra një çorganizim. Akuzë e montuar politikisht. kanë qenë veprime totalisht ligjore nga ana e PD. Sado që të ndikojmë tek drejtësia gjithmonë do ketë njerëz që do japin drejtësi. Drejtësia është ajo që i mungon këtij vendi. PD ka paguar para që rrjedhin nga buxheti i saj dhe që rrjedhin nga KQZ”, deklaroi Ristani.

Ai tha se nuk e di se si do të veprojë prokuroria por se gjithmonë do të ketë dhe brenda prokurorisë njerëz të përgjegjshëm.

“Unë parashikoj që njerëzit e drejtësisë do të japin drejtësi dhe që brenda prokurorisë ka njerëz të përgjegjshëm. Falsifikim me mosveprim është një akuzë që dhe një studenti t’ia thuash… A mund të ketë logjikë normale? Erdha sepse në karrierën time këtë sallë e kam parë nga pozicioni i gjykatësit e avokatit kisha kuriozitet ta shikoja dhe si i akuzuar”, u shpreh Ristani.

SHKARKO APP