Lobimi rus, Mustafaj në krah të Bashës: Hiqja PD këtë njollë duke…
Themeluesi i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj i konsideron shpifje akuzat e qeverisë për lidhje të fshehta të lidershipit të PD-së me Rusinë. Drejtimi i vetëm që PD-ja ka pasur nga krijimi i saj dhe që do të vijojë të ketë gjithmonë, për të është ai pro perëndimor dhe pro amerikan.
”Partia Demokratike ka qenë, është dhe nuk ka asnjë shans që të jetë ndryshe, përveçse një parti pro perëndimore, pro europiane dhe pro amerikane. Partia Demokratike është një parti që e ka treguar me prova historike vendosmërinë e saj për ta çuar Shqipërinë në këtë drejtim. Le të kujtojmë se integrimin në Këshillin e Europës e ka bërë PD, gjithashtu integrimin në NATO, liberalizimin e vizave. Në gjykimin tim, të gjitha këto sulme që i bëhen për prirje apo lidhje të fshehta me Rusinë, janë absolutisht obstruksione dhe shpifje pa asnjë bazë në realitetin politik. Këto shpifje nuk kanë asnjë lidhje as me frymën e bazës së Partisë Demokraitike, as në aspiratat e saj dhe as në lidershipin e saj”, deklaron Mustafaj.
Mustafaj i kërkon Bashës dhe lidershipit demokrat t’u shkohet deri në fund hetimeve për t’ia hequr këtë njollë që po kërkon t’i vendosë PD-së Kryeministri Rama.
“Partia Demokratike dhe lidershipi i saj gjenden përballë këtij sulmi dhe duhet ta përballojnë. Unë nuk jam aspak i mërzitur përse këtë çështje e ka marrë në dorë Prokuroria. Drejtuesit e Partisë Demokratike duhet të zbatojnë detyrimet e tyre me seriozitetin që kërkohet, duke shkuar në organin e akuzës për të bërë transparencën e duhur për ato fakte “Fake” apo të vërteta, që serviren në shtypin amerikan dhe që riartikulohen pastaj me zell nga Kryeministri Rama dhe e gjithë shpura e tij. Nuk ka asnjë rrugë tjetër që Partia Demokratike dhe lidershipi i saj t’ia heqin vetes këtë njollë, përveçse duke e zbardhur për opinionin publik, por edhe ligjërisht për institucionet e drejtësisë”, thekson Mustafaj.
Si themelues i PD-së, Mustafaj i kërkon kreut të PD-së t’i shkojë deri në fund zbardhjes së akuzave të prodhuara në shtypin e SHBA-së dhe të riartikuluara nga Kryeministri Rama në Shqipëri. Ish-ministri i Jashtëm e mbështet lobimin që PD-ja ka bërë në fushatë, duke kujtuar se kjo është një praktikë e ndjekur në shumë vende të tjera të botës. /Panorama/
KOHA JONË SONDAZH

