Loja me kryepolicët e Shtetit
Nga: Redjon Shtylla
Janë 17 drejtorë që kanë drejtuar Policinë e Shtetit që pas rënies së sistemit komunist në vend. Më i riu në detyrë është Gledis Nano, që vjen në këtë post pak ditë pasi Ardi Veliun e ”vetëdetyruar” që të japë dorëheqjen. Nano ka bekimin e SHBA-së dhe pëlqimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi për të drejtuar uniformat blu.
Kryepolici i parë i emëruar nga PD-ja në vitin e parë pas rënies së sistemit është Astrit Mehja, i pasuar më pas nga Sabri Jaçaj dhe Agim Shehu, ky i fundit la detyrën dhe u largua fshehurazi nga vendi, pas trazirave të vitit të mbrapshtë 1997.
17 kryepolicët ka një fakt të përbashkët që është i çuditshëm. Asnjëri nuk e çuar deri në fund mandatin 5-vjeçar. I vetmi është Bajram Ibraj, pasi qëndroi si kryepolic për 4 vite e gjysmë. Ai është i vetmi drejtor, i cili nuk është shkarkuar pas ndërrimit të pushteteve.
Policia e Shtetit është porta më e nxehtë e një shteti, së bashku me ushtrinë, por në Shqipëri policia është në krye. Ajo qëndron pas çdo kontrolli për drogë, pas çdo sherri, vrasje, proteste, aksidente e mbi gjithçkaje që ka të bëjë me rendin dhe sigurinë e vendit. Duhet të jetë edhe pas kapjes së bandave, por në Shqipëri gruper kriminale kanë pushtet dhe Policia në këtë rast, është ”ushtare” e tyre. Posti i kryepolicit nuk është i lehtë dhe vështirë që drejtuesit që mos kenë akuza.
Ardi Veliu iku nga kjo detyrë me një mal me akuza. Ajo që bëri më shumë bujë, ishte justifikimi i kryepolicit për dhunën e ushtruar ndaj një djali vetëm 15-vjeç, vjet në kohën kur vendi ishte në shtetrrethim. Posti i kryepolicit është edhe një lojë, që në të shumtën e rasteve drejtuesi e pëson dhe ai që qëndron më lart, fiton. Vendimet e forta në situata të pazakonta, drejtori i Policisë së Shtetit nuk i merr i vetëm, por pas tij qëndron Ministri i Brendshëm. Themi lojë me kryepolicët e Shtetit, sepse janë bërë edhe karem për të shpëtuar kokën e eprorit.
Policia shqiptare nuk është në ditët e saj më të mira. Luftë me krimin nuk ka. Janë shumë vrasje që nuk kanë autorë të arrestuar, parcela me kanabis dhe tonelata që kalojnë nga Shqipëria. Ka shumë segmente krimi që janë inflirtuar në policinë shqiptare.
Thuhet në media, se kohët e fundit kryeministri Edi Rama ka qenë i bombarduar nga ndërkombëtarët me raporte skandaloze, që tregojnë bashkëpunimin dhe shkrirjen e krimit të organizuar me kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit. Zgjedhjet, skandalet, raportet që ulërasin për rënie të rendit dhe siguri zero, ndërvite i kanë kthyer drejtorët e Policisë së Shtetit, në ”koka turku” të qeverisë, e cila bën këtë lojë me kryepolicat për të shpëtuar veten.