LSI ankimime dhe akuza për 25 prillin: Të përsëriten zgjedhjet në Gjirokastër dhe Berat
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, në një deklaratë nga selia, tha se janë depozituar disa ankimime për disa qarqe në lidhje me votimin dhe numërimin e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit. Po ashtu, ai paraqiti kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Gjirokastër.
Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI
Të nderuar qytetarë është shume e qartë dhe po faktohet moment pas momenti masakra zgjedhore që ka ndodhur në 25 prill me autor mafian e Rilindjes në pushtet. Të gjitha manipulimet, e pafund të procesit zgjedhor janë evidentuar dhe po evidentohen një për një.
Ndonëse KQZ nuk ka nxjerrë akoma rezultatet përfundimtare pas të cilit lind edhe e drejta e ankimimit kemi bërë tashmë gati një sërë denoncimesh. Këto denoncime do të depozitohen menjëherë pas daljes së rezultatit përfundimtar.
Kemi depozituar kallëzim në SPAK për manipulime të rënda të procesit zgjedhor nga komisionerët dhe drejtorët e Rilindjes që manipulonin votat duke bërë shënime dhe duke i bërë të pavlefshme. Do të depozitohet ankimimi për përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Gjirokastrës, për përjashtim antikushtetues dhe të paligjshëm, masiv të zgjedhësve nga e drejta për të votuar.
Do të depozitohet ankimimi për pavlefshmërinë të një sërë qendrash votimi në Berat. Do të depozitohet ankimimi për Qarkun e Durrësit ne respekt te parashikimeve ne kodin zgjedhore. Do te depozitohet kërkesa për rinumërim në disa qarqe të vendit për shkak të manipulimeve dhe parregullsive të rënda në procesin e numërimit.
Si dhe vlerësimin e pavlefshmërisë së votave që lidhen me këtë process. Kërkojmë nga KQZ, administrim me përgjegjësi absolute të të gjithë materialeve të votimit. Kërkojmë bllokimin e të gjitha materialeve të votimit dhe ruajtjen e tyre në respekt të ligjit dhe nën vëzhgim dhe monitorim me kamera. Do të vijojnë ankimimet në të gjitha qarqet pas kqyrjes së pamjeve filmike. Ky evidentim dhe ky proces do të vazhdojë më përgjegjësi deri në fund për të zbardhur të vërtetën të masakrës dhe manipulimit që i është bërë vullnetit të shqiptarëve dhe votës së tyre. Faleminderit.
Përsëritja e zgjedhjeve neni 161 Kodi Zgjedhor
- Pas përfundimit të procesit të ankimit, jo më vonë se 3 ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ-ja kryesisht ose me kërkesë të subjektit, shpall të pavlefshme dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë zonën zgjedhore, kur pavlefshmëria e shpallur në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi, ndikon në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi.
- Do të konsiderohet ndikim në ndarjen e mandateve për zgjedhjet në Kuvend kur numri i zgjedhëse, që kanë votuar apo mund të kishin votuar në qendrën apo qendrat e votimit të shpallura të pavlefshme, është i barabartë ose më i madh se numri i zgjedhësve të nevojshëm për caktimin e një mandati në zonën zgjedhore përkatëse, mbi bazën e përllogaritjes së votave të vlefshme në zonën zgjedhore, të bërë sipas nenit 162 të këtij Kodi. Për zgjedhjet për kryetar të qeverisjes vendore ndikim në rezultat do të konsiderohet kur numri i zgjedhësve në qendrat e shpallura të pavlefshme është më i madh se diferenca midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave të vlefshme.
- Në rast pavlefshmërie për shkak të fatkeqësisë natyrore, sipas shkronjës “b”, apo të mosfillimit të votimit ose pezullimit më shumë se pesë orë të tij, sipas shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 160, merret në konsideratë numri total i zgjedhësve të regjistruar në qendrën e votimit të shpallur të pavlefshme.
- Në rast pavlefshmërie për shkelje të ligjit, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 160, apo kur votimi është shpallur i pavlefshëm, sipas paragrafit të dytë të pikës 4 të nenit 138 të këtij Kodi dhe kur procesi i votimit ka përfunduar, sipas këtij Kodi, për përcaktimin e ndikimit merret në konsideratë numri i zgjedhësve që kanë votuar në qendrën e votimit të shpallur të pavlefshme.
- Përsëritja e zgjedhjeve urdhërohet në të njëjtin vendim të KQZ-së, që i shpall ato të pavlefshme. Zgjedhjet për këshillat e qeverisjes vendore nuk përsëriten.
- Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit.
- Ankimi ndaj vendimit të KQZ-së për shpalljen ose jo të zgjedhjeve të pavlefshme bëhet në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në këtë pjesë.