LSI kërkon crregjistrimin e 600 votuesve fiktivë nga Vora

 

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi çregjistrimin nga listat zgjedhore të mbi 600 personave të trafikuar, për të votuar në bashkinë Vorë.

Gjatë mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Dritan Fejzo shprehu shqetësimin se në listat e votuesve në këtë bashki figurojnë të regjistruar mbi 600 persona, me qëllim trafikimin dhe manipulimin e votës më 21 qershor.

Të paktën 600 votues janë trafikuar nga njerëz të afërt të kryetarit të kësaj bashkie, ndaj ne kërkojmë çregjistrimin e tyre. Ky është një fenomen i përsëritur që po kthehet në precedent, ndaj i kërkojmë KQZ-së ta ndalë këtë fenomen, të ndalë trafikimin e votave dhe manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve”, tha ai.

Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi në përgjigjen e saj tha se nuk ishte njohur me kërkesën në fjalë, ndërsa i sugjeroi përfaqësuesit ligjor të LSI-së që ankesën t’ia përcjellë gjykatës dhe ajo të shprehet për çështjen.

Ndaj kësaj kërkese reagoi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, i pranishëm në mbledhjen e sotme të KQZ.

Doracaj tha se për këtë ankesë DPGJC ka dërguar në Vorë një grup specialistësh për të verifikuar shkeljet e pretenduara dhe nëse ato konstatohen do të merren masat përkatëse, madje po qe e nevojshme, duke iu drejtuar dhe organeve të tjera.

Doracaj tha se është në pritje të raportit për këtë çështje, të cilin do ia përcjellë dhe institucionit zgjedhor.

SHKARKO APP