LSI, kjo forcë progresive, publikon 5 prioritetet e saj në 5 muajt e parë në PUSHTET

Rimbursim me 5% të vlerës së çdo blerje, fond investimi 1 mijë dollarë për çdo bebe që lind, TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale Made in Albania, 1% Taksa e të Ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdha dhe investim në arsimin profesional. Kryetarja Monika Kryemadhi deklaron: Prioritet i programit tonë është punësimi, rimëkëmbja ekonomike dhe mirëarsimimi i brezit të ri.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar dje prioritet e programit për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të jetë dhe baza e programit qeverisës. Drejtues të kësaj force politike, ekspertë dhe profesorë të fushave të ndryshme, pas një pune më shumë se 9 mujore kanë paraqitur në mënyrë të përmbledhur pikat kryesore ku duhet të bazohet modeli i qeverisjes së re. Programi është detajuar sipas fazave të qeverisjes dhe në pesë muajt e parë, LSI ka renditur 5 çështje prioritare që duhet të zbatohen në ekonomi dhe arsim. Ato janë; Rimbursimit i 5% të vlerës së çdo blerje, fond investimi 1 mijë dollarë për çdo bebe që lind, TVSH 0% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale Made in Albania, 1% Taksa e të Ardhmes për arsimin për 200 kompanitë më të mëdha dhe investim në arsimin profesional. Në terësi, programi i LSI ka në thelb rritjen e punësimin, rritjen e pagave, rimëkëmbjen e ekonominë dhe investime tërësore për arsimin e brezit të ri.

Rimbursimit i 5% të vlerës së çdo blerje

Për të shmangur informalitetin në ekonomi, LSI propozon që për çdo faturë blerje, qytetarëve tu kthehet pas 5 % të vlerës që ata shpenzojnë. Propozimi ambicioz parashikon që duke aplikuar rimbursimin 5% çdo qytetar do të jetë i interesuar që për çdo blerje të marrë kuponin tatimor nga biznesi. “Rimbursimi i 5 % i çdo shpenzimi jashtë faturave që ka të bëjë me entet publike është një mundësi që i jep fund betejës për formalizimin. Ne duhet ta kthejmë këtë në një marrëdhënie miqësore mes biznesit-konsumatorit-shtetit sepse vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi të rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit, që të eliminojmë çdo evazion fiskal që bëhet nga oligarkët me rimbursimin e famshëm të TVSH. Qytetarët shqiptarë e paguajnë TVSH edhe në çerek kilen e djathit që blejnë në atë dyqanin e lagjes”,- deklaroi dje kryetarja e LSI-së lidhur me këtë propozim.

Fond investimi 1 mijë dollarë për çdo bebe që lind

Një prej risive të programit të LSI është krijimi i një fondi investimesh për çdo fëmijë që lind. Në këtë mënyrë synonte që jo vetëm të stimulohet rritja demografike e vendit, por edhe të garantohet një e ardhme me e sigurt për brezin e ri. “Mbështetja për familjen është një nga çështjet tona kryesore. Kjo ka të bëjë me programin nga bebja në bebe. Për çdo fëmijë që lind, ne do të i ofrojmë një garanci prej 1 mijë dollarësh dhe në momentin që ky fëmijë do të ketë mundësinë të krijojë familjen e tij e të bëhet me fëmijë, pas 25-30 vitesh, ai do të ketë rreth 25 mijë dollarë që të ndihmojë dhe krijojë familjen e tij”,- tha dje Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

1% Taksa e të Ardhmes për kompanitë më të mëdha

Programi i LSI synon që investimet nga buxheti i shtetit për arsimin të arrijnë në 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me qeverinë “Rama” investimi për arsimin është vetëm 2.3 %. LSI propozon që për të dyfishuar të ardhurat të ketë një taksë shtesë vetëm për 200 bizneset më të mëdha në vend. Taksa do të quhet “Taksa e të ardhmes” dhe çdo biznes i madh duhet të paguajë 1 % për të rritur cilësinë e arsimit në vend. “Taksës së sheshtë do ti shtojmë edhe taksën për ardhmërinë, taksën e të ardhmes që është 1 % për 200 bizneset e mëdha. Kjo taksë shkon drejt për së drejti në buxhetin për arsimin. Vetëm në këtë mënyrë ne mund ta çojmë në 5% të PBB buxhetin për arsimin që është një nga reformat kryesore që përgatit brezat e ardhshëm dhe rrit cilësinë e mësimdhënies”,- tha dje kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Programi “Mëso dhe Fito”

Një pikat kryesore të programit të LSI-së është arsimi profesional dhe përgatitja e brezit të ri për tregun e punës. Parti që përfaqëson të rinjtë, LSI i ka kushtuar një rëndësi të veçantë çështjes së arsimit dhe investimeve në këtë sektor. Për të mundësuar këtë projekt nuk është e rëndësishme vetëm hapja e shkollave profesionale, por përfshirja e të rinjve në tregun e punës që në kohën që ata ndjekin studimet. Bashkë më shtimin e buxhetit për arsimin, synohet që shkollat profesionale të kenë kontakte direkte me biznesin për të paguar studentët që kryejnë praktikën pranë tyre.  “Do të masivizojmë programin Mëso dhe Fito, që profesionistët e rinj të punojnë dhe fitojnë pranë  biznesit, ndërsa mësojnë në shkollë.  Do të investojmë në kërkimin shkencor dhe inovacionin, që të rinjtë te tregojnë talentin e tyre dhe që shoqëria të konkurrojë në ekonomi me dinjitet si me fqinjët, ashtu edhe me botën”,- deklaroi kryetarja e LSI-së gjatë prezantimi të prograit.

TVSH 0% për prodhimet bujqësore Made in Albania

Mbështetja e fermerëve dhe prodhimit vendas është një tjetër pikë e programit të LSI që do të zbatohet në 5 muajt e parë të qeverisjes. Heqja e Tatimit mbi Vlerën e shtuar për produktet vendase të fermerëve është një premtim i hershëm i LSI që në programin e prezantuar dje është detajuar në mënyrë shteruese. Veç heqjes së TVSH, LSI premton pajisja me Kartën e Fermerit, e cila mundëson zbritjen automatike të pagesës së TVSH-së për imputet bujqësore, plehra kimik, fidanë, fara, naftë, për rimbursimet dhe subvencionet.

Programi i LSI, i cili do t’u prezantohet nga afër qytetarëve deri para zgjedhjeve të 25 prilli bazohet te rritja e punësimit, rritja e pagave, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe investimet rrënjësore në arsim. Veç 5 prioriteteve kryesore, programi i LSI jep ka një sërë projektesh ambicioze për luftën ndaj varfërisë siç është heqja e taksave për gjithë familjen me më pak se 35 mijë lekë në muaj. Po ashtu, pjesë e programit është çlirimi i ekonomisë nga monopolet, ulja e taksave te larta, krijimin e zonave të lira ekonomike dhe thithja e investimeve të huaja.

LSI i ka konkretizuar këto prioritete pas konsultimëve me specialistë të fushave dhe më pas janë konkretizuar në programin e saj elektoral.

Duke parë se si Rilindja po zhytet përditë në skandale dhe po shkatërron buxhetin e shtetit, LSI dhe PD do merren që në fillim të qeverisjes më këto 5 prioritete, natyrisht dhe me fushat e tjera, ku nuk ka lenë gropë pa hapur PS-ja.

Me 25 prill merr fund kjo dalldi e kjo masakër ndaj vendit për të patur një qeveri krejt ndryshe dhe të hapur para qytetarëve, e cila do drejtohet nga LSI-PD dhe partitë e tjera të koalicionit.

SHKARKO APP