LSI takim me banorët në njësinë nr.7/ Kryemadhi: Rama ka neveri për punëtorët shqiptarë
Lëvizja Socialiste për Integrim po zhvillon një takim me banorët në njësinë nr.7 në Tiranë, ku në fjalën e saj kryetarja Monika Kryemadhi tha se kryeministri Edi Rama ka neveri punëtorët shqiptarë, pasi kreu i qeverisë tha se do të marrë punëtorë nga Bangladeshi kur edhe i quajti shqiptarët dembelë. Nga ana tjetër, Kryemadhi tha se askush nuk e refuzon punën në vend.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit
Më thoni ju një punëtor shqiptar që punon në industrinë e fasonëve apo kudo tjetër që të ketë rrogën 600 mijë lekë. Nuk ka. Pra ky njeri që thotë që unë do të bëj këtë rrogë minimale për punëtorët nga Bangladeshi, le t’ua bëjë punëtorëve shqiptarë sepse e kanë 240 mijë lekë sot. Le të ndihmojë industrinë e fasonëve që t’u rrisin rrogën punëtorëve të tyre në fason. Le të ndihmojë fermerët shqiptarë që të kenë mundësinë për të paguar punëtorë por t’ju paguajë pesticidet, naftën. Le të ndihmojë mësuesit e shkollave shqiptare të cilët i ka kthyer në mercenarë politikë. Le të paguajë mjekët dhe infermierët që ka 1 vit që i gënjen për pagat e pandemisë dhe akoma nuk u ka dhënë pagën e muajit mars të vitit 2020 që të gjithë e mbani mend që tha do ti paguajmë mjekët dhe infermierët me nga njëmijë euro.
E pra të mbajë këto premtimet e vitit të fundit. Pastaj të mbajë premtimet për punëtorët nga Bangladeshi. Pastaj të na sjellë dhe hënën në tokë po të dojë. Por të mbajë premtimet që iu dha shqiptarëve, 300 mijë vendet e punës, uljen e çmimit të energjisë elektrike, uljen e taksave. Krijimin e hapësirave për të rinjtë dhe për të rejat. Krijimin e hapësirave që janë të pamundura sot jo vetëm për të rinjtë dhe të rejat por dhe për pensionistët.
Të rrisë pensionet që ka premtuar që do të rrisë, por as një mijë lekë të vjetra nuk i ka rritur pensionet e pensionistëve. Ka rritur vetëm çmimet e ilaçeve për ta. E pra ka shumë gjëra që ne mund ti përmendim, jo vetëm dështimet dhe mashtrimet e tij por ne e kemi kohën shumë të limituar për tu marrë me mashtrimet e tij. Ne duhet të punojmë çdo ditë për të larguar Shqipërinë nga mashtrimet e Edi Ramës dhe ta çojmë të sigurt drejt Bashkimit Europian.
Sepse duke shkuar drejt BE, Shqipëria ka shanse dhe mundësi për të qenë një vend dinjitoz si gjithë vendet e tjera. Për të krijuar vende të reja pune të mirëpaguara, për të krijuar shkolla moderne, me mësues elitarë dhe me mentalitet evropian, për të pasur spitale moderne dhe jo për të pasur stalla lopësh, me të cilët mendon të gënjejë shqiptarët për të pasur shëndetësi cilësorë dhe atë që meriton çdo qytetar. Dhe jo për të pasur shëndetësinë më të shtrenjtë.
Që të bëjmë këto ndryshime ne na duhet që në 25 prill, ti drejtohemi kutive të votimit. Ti drejtohemi fletës së votimit. Të votojmë atë parti që na përfaqëson. Të votojmë atë parti që mban fjalën. Të votojmë atë parti që kujdeset për të rinjtë dhe për të rejat. Të votojmë atë parti që i krijon hapësira fëmijëve tuaj për të qenë jo vetëm pjesë e politikës por për të qenë vendimmarrës, për të qenë politikë hartues dhe për të qenë ata që vendosin për veten e tyre.