LSI: Valdrin Pjetri, filozofia kriminale e Rilindjes. Së shpejti emra të rinj që flasin me krimin e organizuar
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari paralajmëroi se përveç Valdrin Pjetrit do të dalin emra të tjerë, që janë të lidhur me struktura kriminale.
Nga Ora Neës, Braimllari tha se rasti i kryebashkiakut të ri të Shkodrës është i përsëritur.
Ai u shpreh se Valdrin Pjetri është filozofia e Rilindjes.
“Nuk kemi dyshime që Edi Rama nuk kërkon që Shqipëria të integrohet në BE, sepse nëse ndodh ky proces nuk do ketë kandidatë si Valdrin Pjetri. I është përmendur shumë emri Vladrin Pjetrit për kandidaturën si kryetar bashkie në Shkodër, por ajo është filozofia e Rilindjes. Nuk është vetëm ai, ka edhe të tjerë që në ditët në vazhdim do të dalin, të cilët përfaqësojnë strukturat kriminale, të cilët komunikojnë në telefon me krimin e organizuar”, tha ai.
Sa përket dekretit të Presidentit për 13 tetorin, Braimllari shprehu bindjen se në këtë datë do të jenë zgjedhjet lokale. Ai tha se aksioni opozitar do të bëhet publik në javët e para të muajit shtator.
“Ne kemi një datë kushtetuese që është 13 tetori. Unë vazhdoj të mendoj dhe kam bindjen se në 13 tetor do jenë zgjedhjet lokale dhe KQZ do reflektojë. Sepse përgjegjësia penale mbi këta 4 persona që janë pjesë e KQZ do të jetë mjaft e rëndë. Po pengojnë jo vetëm të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje, të drejtën për të regjistruar partitë politike, por po shkatërrojnë demokracinë në vend. Opozita ka të qartë agjendën e saj dhe agjenda e opozitës do të jetë e qartë për opinionin publik javët e para të muajit shtator” tha Braimllari.