LSI: Zyrat elektorale të “Rilindjes” janë kthyer në kioska ushqimoresh me produkte të skaduara

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së së Tiranës, Klevi Pojana deklaroi për mediat se prej 8 vitesh qeveria ka abuzuar ndaj qytetarëve të zakonshëm.

Pojana nëpërmjet një video të publikuar, denoncon se zyrat elektorale të “Rilindjes” janë kthyer në kioska ushqimoresh me produkte të skaduara, të cilët sipas tij po i shpërndahen familjeve në nevojë për arsye zgjedhore.

“E drejta e votës është e shenjtë, ajo është burimi i një shteti të fortë dhe një shoqërie të zhvilluar. Kushdo që mendon se mund të blejë urrejtjen e shqiptarëve, sa i takon gjendjes së nderë ku ndodhet vendi, i themi sot se e ka GABIM. Urrejtja për të keqen nuk mund të blihet e as të manipulohet”, shkruan ai ndërsa i bën thirrje SPAK që të hetojë për raste të tilla abuzive.

Reagimi i plotë:

Fryma e ndryshimit të madh në referendumin e 25 prillit po ndihet në çdo qytet e në çdo familje shqiptare.

Janë 8 vite regres, 8 vite abuzim me pushtetin, 8 vite padrejtësi ndaj qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi.

Koha e shpagimit ka ardhur, asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë dot uraganin e shpresës.

Jam sot këtu për të denoncuar një ndër aktet më të fundit të qeverisë në ikje, e cila nëpërmjet litarit të bukës tenton të intimidojë dhe blejë qytetarët shqiptarë.

Pamjet që do të ndiqni tani tregojnë se si janë kthyer zyrat elektorale të ‘Rilindjes’ në kioska ushqimoresh me produkte të skaduara, që i shpërndahen familjeve në nevojë duke i intimiduar për arsye zgjedhore.

Në njësinë administrative numër 8 në Tiranë, qytetarë në asistencë sociale thirren dhe u jepen pako ushqimore në zyrat e Partisë Socialiste duke i kërkuar në shkëmbim  votën në zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërsa në Kamëz, një market është kthyer në magazinë furnizuese për qytetarët e rreshtuar sipas listës së partisë, për tu dendur me ushqime përtej afatit të skadencës dhe ç’është me abuzivja në orën 10 të darkës, duke shfrytëzuar terrin e orës policore, në një aksion të mirëkoordinuar për qëllime elektorale.

Ju ftoj të ndjekim pamjet…

Pas këtyre pamjeve flagrante dhe të turpshme, i bëj thirrje SPAK të hetojë këto raste abuzive dhe përgjegjësit të përgjigjen përpara ligjit. Pazar me pamundësinë e familjeve të varfra shqiptare nuk do të ketë më.

E drejta e votës është e shenjtë, ajo është burimi i një shteti të fortë dhe një shoqërie të zhvilluar. Kushdo që mendon se mund të blejë urrejtjen e shqiptarëve, sa i takon gjendjes së nderë ku ndodhet vendi, i themi sot se e ka GABIM. Urrejtja për të keqen nuk mund të blihet e as të manipulohet.

25 prilli do të vijë me forcën e ndëshkimit për të shembur të keqen që mban peng vendin. Ndryshimi nuk mund të ndalet! Faleminderit.

SHKARKO APP