Lu: Udhëkryq i pazakontë për reformën në drejtësi
Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, dhe ambasadori Amerikan Donald Lu morën pjesë sot pasdite në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për të diskutuar për miratimin e reformës në drejtësi.
Pas mbledhjes ambasadori Lu u shpreh se “ne pranojmë që është e pazakontë që Ambasadorët e huaj të takohen me grupet parlamentare”.
“Mendojmë se jemi në një udhëkryq të pazakontë për reformën në drejtësi, i cili kërkon komunikim të pazakontë dhe vullnet politik. Prania ime sot këtu është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për Qeverinë e SHBA”, u shpreh ai.
Nga ana e saj ambasadorja Vlahutin u shpreh se “nuk mendoj se është fare e pazakontë që partnerët të flasin me njëri-tjetrin”.
“Ne jemi këtu në të vërtetë që Shqipëria të arrijë standartet e nevojshme për Bashkimin Europian dhe që të çelen negociatat për tu arritur anëtarësimi në BE. Jemi të angazhuar në një dialog si miq dhe partnerë. E drejta sovrane e deputetëve që të votojnë në parlament është një e drejtë e tyre, sovranitet që atyre ua kanë dhënë zgjedhësit shqiptarë kur i kanë votuar. Kjo është një gjë të cilën ne e respektojmë plotësisht dhe kurrë nuk do ta pengonim këtë gjë apo të ndërhynim. Por siç e thashë është tejet e rëndësishme që ne të përfshihemi në një dialog si aletatë dhe ta shpjegojmë këtë në kontekstin e vet duke marrë parasysh dhe zgjerimin e BE. Ne e dimë që nga ana jonë kemi disa afate të caktuara kohore dhe dëshironim ti ritheksonim këto çështje, në mënyrë që të fillohet puna me zbatimin e reformës”, tha ajo.
KOHA JONË SONDAZH

