Luan Bregasi: Asnjë biznes nuk ka marrë kredi nga garancia sovrane
Asnjë biznes, që përfshihet në grupin që përfitojnë nga garancia sovrane, nuk ka marrë kredi deri më tani. Këtë deklaratë e bëri kreu i Biznes Albania, Luan Bregasi në emisionin Real Story. Ai tha se bankat janë ende skeptike, ndërsa deklaroi se shteti duhet të kishte reaguar më shpejt me paketën e ndihmës.
“Qeveria duhet të kishte reaguar më shpejt me një paketë ndihmëse. Në paketën e dytë u morën parasysh mjaft nga kërkesat tona, pasi te e para nuk ishte garancia sovrane pa limit por vetëm për pagat e punonjësve, tani jepet kredi për të bërë pagesa për furnizime apo lëndë të pare biznesi, kredi që merren me interes zero, shteti behet pjesë e riskut bashkë me bankën. Por, bankat vijojnë të sillen si më parë, thonë të shikojmë njëherë riskun, janë skeptike. Sot është data 15 prill nuk ka asnjë sinjal nga bankat, asnjë kompani nuk më ka sinjalizuar që e kanë marrë këtë kredi”.
Ai u bëri thirrje bankave të përshpejtojnë dhënien e kësaj kredie ndaj biznesit, pasi punonjësit janë pa paga. “Kjo është një eksperiencë e re ndoshta, se nuk kemi pasur raste me natyrë të tillë që bankat të japin kredi për të paguar punonjësit. Meqë ndahet risku mes shtetit dhe bankave, bankat duhet të relaksojnë më shumë marrëdhënien e biznesit me këtë garancinë sovrane. Ne duhet të veprojmë shpejt. Faktori kohë është shumë i rëndësishëm, se punonjësit janë pa paga”, tha Bregasi.