Luan Rama dedikim mjekëve: Ata që sot “luftojnë” me virusin e rrezikshëm, për jetën e qytetarëve
Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, ka bërë një dedikim prekës për mjekët që po luftojnë me virusin e rrezikshëm për të shpëtuar jetë njerëzish. Ai i cilëson ata ëngjëjt e botës që ruajnë jetët e njerëzve, duke i qendruar besnikë betimit të Hipokratit.
ENGJËJT E BOTËS
( Dedikim mjekëve)
Kapluar në ethe,
Prej ashtit të vet
Bota rënkon dhembjen e njeriut!
Ngrijnë retë nëpër qiell
Prej piskamës së shpirtit,
E dhembja në dhembje mpihet!
Yjet – kristale gjaku,
Rrugën e Qumështit gjakojnë,
Ndërsa bota pezmon në detin e dhembjes së vet!
Mes Skillës dhe Karibdës,
Flama – kurorë,
Luan me fatin e saj!
Rrugët e botës,
Si damarë të zbrazur,
Presin të ndjejnë prapë
Vlagën e jetës.
Qytetet e botës
të ndalur në bosh,
Presin këngën e njeriut,
që të mos ngjajnë më si arkëmorte ëndrrash të vrara!
Shpirti i Dantes,
Më dha këngët e Beatriçes,
T’ju falem mjekëve – engjëj të botës,
Që jetën kanë mbështjellë me dritën e syrit,
Dhe e ruajnë si amanetin e brengës së madhe të Hipokratit!
Asnjë të mos harrojë se është njeri!