Luan Rama: Maturantët si e ardhme dhe matura shtetërore si dështim

Nga Luan Rama*-

Ja që mjafton edhe një test mature, për të kuptuar në thelb dështimin e një reforme të tërë. Mjafton për të kuptuar politika arsimore të dështuara, të inicuara prej një tufe dështakësh kokëboshë.

Injoranca e mosdija nuk janë as faj dhe as mëkat. Faj dhe mëkat është t’i pranosh. Faj dhe mëkat është të bashkëjetosh me to. Faj dhe mëkat është të mos i refuzosh dhe të mos luftosh kundër injorancës, kundër mosdijes.

Ky është mesazhi që na japin maturantët, të cilët duke denoncuar testet e injorancës që iu imponon ministria e arsimit, po na dëshmojnë në fakt se sa poshtë ka rënë e gjithë shoqëria jonë, e cila për fat të keq nuk e ka kuptuar dhe ende nuk po e kupton se krimi më i madh nuk është korrupsioni i kryeministrit apo ministrave të tij, nuk është as krimi si instrument qeverisës dhe as konkubinizmi si kriter përzgjedhjeje.

Krimi më i madh është rrënimi dhe shkatërrimi i sistemit arsimor. Krimi më i madh është rrënimi i sistemit të edukimit. Krimi më i madh është shkatërrimi i shkollës. Është një krim i nisur prej kohësh e me të cilin kemi bashkëjetuar të gjithë e ku diku më shumë e diku më pak, të gjithë kemi përgjegjësi. Por ajo që ka bërë dhe që po bën qeveria e Edi Ramës me sistemin arsimor dhe me tërësinë e institucioneve të edukimit dhe të kulturës, është shpërfaqja më monstruoze e injorancës dhe e pasojave që ajo mbart dhe që për fat të keq, do ta kenë efektin e tyre më të madh në të ardhmen.

Problemi i testeve apo pyetjeve të provimeve të maturës, nuk është një çështje teknike apo stili në mënyrën e formulimit të tyre dhe që lidhet me disa shërbëtorë injorantë apo servilë të pakulturuar.

Është dëshmi e dështimit të një reforme të tërë. Është provë e dështimit të të gjithë sistemit të politikave shtetërore në fushën e arsimimit dhe të edukimit. Prandaj, problemi nuk është vetëm i maturantëve. Problemi është edhe i prindërve, është edhe i atyre që sot nuk i kanë fëmijët maturantë, por që i kanë patur më parë apo që do t’i kenë nesër e më tej në çdo vit e vit pas viti. Problemi është i të gjithë shoqërisë. Maturantët kanë të drejtë. Maturantët na flasin sot si e ardhme. Por të ardhme me injorantë e të paditur si ata që përgatisin testet e injorancës së tyre dhe që me to duan të venë në provë dijet e maturantëve, injorantë si ata që hartojnë dhe imponojnë politika arsimore antikombëtare që ushqejnë vetëm injorancën dhe padijen, nuk mund të ketë.

Maturantën kanë të drejtë dhe qytetarët duhet të bashkohen me ta. Kauza e maturantëve është kauzë qytetare. Kauza e maturantëve është kauzë patriotike. Kauza e maturantëve është kauzë për të ardhmen.

*Zëvendëskryetar i LSI

SHKARKO APP