Luan Rama: Parlamenti s’ka integritet lidhur me marrëveshjen. Miratimi i ndryshimeve në Kod i hap rrugë zgjedhjeve

Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama tha se të gjitha denoncimet e opozitës dhe veprimet si djegia e mandateve bënë që të hapeshin sytë e ndërkombëtarëve duke sjellë më pas dhe një rezolutë të parlamentit gjerman me 9 kushte për hapjen e negociatave dhe madje edhe raportin e ODIHR për 30 qershorin.

Duke iu referuar marrëveshjes opozitë-maxhorancës dhe tryezës së nisur për reformën zgjedhore, Luan Rama tha në “Real Story” në News24 se parlamenti nuk ka integritet të ndërmarrë asnjë veprim në kundërshtim me këtë marrëveshje, pasi maxhoranca është zotuar të mos bëjë asnjë ndryshim tek draftet e dakordësuara.

Ndërkohë ai tha se nëse Gjykata Kushtetuese nxjerr ilegjitim 30 qershorin, miratimi i ndryshimeve në kod i hap rrugë zgjedhjeve, bazuar në kushtin e Bundestagut.

“T’i shohim ngjarjet në kontekstin e gjithë zhvillimeve politike që kanë ndodhur në vend. E para. E dyta ju e konsideroni vetësakrifikim, dëshmor tha Astriti e ku di unë se çfarë. Unë personalisht kur është bërë diskutimi në forumet e partisë për djegien e mandateve kam qenë kundër ikjes nga parlamenti në atë mënyrë. Për shkak të konceptit, vizionit dhe bindjes sime. Tjetër gjë pastaj kur është marrë vendimi unë si zëvendës kryetar i partisë kam zbatuar vendimin e forumeve. Por sot, gati një vit më pas unë e quaj të drejtë vendimin e opozitës, i cili nuk synonte të bindte ndërkombëtarët në drejtësinë e djegies së mandatit sepse në asnjë vend demokratik të botës nuk ka ndërkombëtarë që e pranon djegien e mandatit por ai aksion i opozitës në atë kohë, nxori zbuluar edhe në sytë e ndërkombëtarëve, të atyre që nuk e kishin parë çfarë ndodhte realisht me ligjin, me institucionet, me shtetin, me demokracinë, me parlamentarizmin në Shqipëri, nxori lakuriq në sytë e tyre këtë pseudorealitet demokratik që në fakt është i ngritur mbi një bazë kriminale. Ju përmendët si me qesëndi ata çunat e mirë, Damianin, tërmet, tërmet thatë një frazë që na sjell në vëmendje një episod të vjedhjes së votës, të kriminalizimit të votës, unë nuk dua ta shoh as si fitore e as si humbje. Tavolina nuk imunizon askënd që ka kryer krim dhe shkelje të ligjit. Unë nuk e shoh as si fitore e as humbje. Në politikë ecet, shkohet, zgjidhet, kryhen veprime me mjete politike dhe opozita ia ka dalë t’i imponojë maxhorancës që përfaqësohej me parlamentin në këtë tryezë, me Damianin dhe Rudinën bashkë, me opozitën legjitime të vendit dhe ne ia dolëm që të kthejmë gjithë problematikën e vendit tek zgjidhja politike. Vendi është në një krizë. Ne ishim në parlament dhe nuk na dëgjonte njeri, nuk na konsideronte njeri. I keni parë fyerjet, shpifjet e kryeministrit në parlament. Ne bëmë një akt denoncimi të një realiteti që jo se nuk e dinin shqiptarët por duhet ta dëgjonin të artikuluar fort me veprim konkret, politik nga ana e opozitës por edhe ndërkombëtarët. Si rrjedhojë e asaj situate vijmë tani tek rezoluta e parlamentit gjerman, raporti përfundimtar i ODIHR-it po deshe për votimet e 30 qershorit e këtëj dhe çfarë ndodh? Natyrisht ne nuk kemi luajtur nga mendtë dhe askush nuk beson në opozitë që për të shkuar në zgjedhje dhe për të marrë pushtetin do duhet të rrëmbejmë tanket, molotovët, t’i sulemi kryeministrisë, ta djegim etj. Në një shoqëri civile zgjedhjet janë instrumenti demokratik dhe mjetet politike që ne po praktikojmë na japin të drejtë të themi që po, nuk merret më vendimi në parlamentin e trukuar për shkak të vullnetit të bandave të krimit por vendimi për gjithçka do merret tek tryeza politike ku janë palë, opozita nga njëra anë dhe përfaqësuesit e parlamentit.

Parlamenti çfarë do bëjë, do ngrejë dorën e do thotë dakord. Vendimi do merret tek kjo tryezë. Parlamenti nuk ka integritet të ndërmarrë asnjë veprim në kundërshtim me këtë marrëveshje. Marrëveshja thotë ‘maxhoranca zotohet që të mos bëjë asnjë ndryshim tek draftet e dakordësuara me konsensusin e palëve në tryezën e zgjidhjes politike’. Fitorja në këtë rast është e Shqipërisë. Shqipëria humbi një vit për të fituar një epokë. Kushti i parë i rezolutës së parlamentit gjerman që vuri kushtin për çeljen e negociatave me Shqipërinë, që duhet të plotësohet deri në mars thotë kushti: reforma zgjedhore dhe Gjykata Kushtetuese. E vetmja detyrë që ka opozita në të 9 kushtet është vetëm pjesëmarrja në reformën zgjedhore, të tjerat i përkasin qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë etj.

Një nga kushtet e rezolutës së parlamentit gjerman thotë se pasi të krijohet Gjykata Kushtetuese duhet të shpallë legjitimitetin ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe nëse Gjykata Kushtetuese i shpall ilegjitime, zgjedhjet duhen bërë me kodin e ri të miratuar me konsensus.

Pra, logjika të çon që miratimi i kodit në këtë tavolinë dhe formalizimi i saj në atë parlament ashtu siç është do të certifikojë vullnetin politik të palëve, të mbërritur me konsensus në këtë tryezë. Nëse Gjykata Kushtetuese në sovranitet të plotë do të shpallë që zgjedhjet e 30 qershorit janë ilegjitime, rezoluta e parlamentit gjerman si kusht për çeljen e negociatave dhe ky është një aksion politik për të ushtruar opozita rolin e vet në funksion të çeljes së negociatave thotë të bëhen zgjedhjet me kodin e ri zgjedhor. Miratimi i ndryshimeve në kod i hap rrugën eventualisht nëse Gjykata Kushtetuese do të shpallë ilegjitime ato zgjedhje, të cilat në thelb janë ilegjitime sepse janë bërë pa bazë ligjore.

Tryeza vetëm krijon një premisë për të thënë që vullneti politik i palëve, është që të gjejmë një zgjidhje me konsensus për të shkuar më në fund tek zgjedhje të pakorruptuara, të pakriminalizuara dhe të pandikuara. Ky është problemi që ka shoqëria shqiptare të gjitha të tjerat lindin prej kësaj baze kriminale që ka krijuar këtë situatë paradoksale që gjendet Shqipëria e 2020”, deklaroi Luan Rama.

SHKARKO APP