Luan Rama: Plotësisht dakord me Departamentin Amerikan të Shtetit

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama shprehet se qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit për Gjykatën Kushtetuese dhe reformën në drejtësi janë plotësisht korrekte.

Në një reagim në Facebook, Luan Rama thotë se SHBA nuk kanë asnjë mëdyshje për të mbajtur larg duart e politikës nga reforma në drejtësi.

Plotësisht dakord me Departamentin Amerikan të Shtetit! Asnjë dilemë, asnjë mëdyshje. Plotësisht dakord me Departamentin Amerikan të Shtetit: “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”. Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të Kushtetutës dhe përshpejtimit të ritmit të reformave të integrimit europian, në partneritet të plotë dhe strategjik me SHBA. Larg duart e politikës nga reforma në drejtësi, larg duart nga Gjykata Kushtetuese!”,- shkruan Luan Rama në një reagim në Facebook.

Ditën e sotme Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur me zhvillimet në Shqipëri dhe përplasjen mes qeverisë dhe Presidentit për Gjykatën Kushtetuese. Ndryshe nga qëndrimet në Tiranë, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk përmend në reagimin e tij për “Zërin e Amerikës” dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias.

Duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për komentet e djeshme të Presidentit Meta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar”, thotë zëdhënësi, duke shtuar se “vazhdimi i përparimit me reformat është jetik për stabilitetin dhe begatinë e Shqipërisë, si dhe për çuarjen përpara të synimit tonë të përbashkët, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Shtetet e Bashkuara, shton më tej zëdhënësi, “do të vazhdojnë të mbështetin Shqipërinë si një vend mik, partner dhe aleat, teksa vendi kryen reforma jetike”.

SHKARKO APP