Luan Rama: Presidenti po mundohet që ta bëjë të arsyetojë mazhorancën
Për Zëvendës Kryetarin e LSI-së, Luan Rama, mazhoranca do që t’i marrë me një ligj të thjeshtë kompetencat që ia njeh kushtetuta presidentit.
I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, ai u shpreh se mazhoranca mund të ndryshonte dispozitën në kushtetutë, dhe të vendosnin që betimi behet me noter apo me shofer.
Sipas Ramës, presidenti Meta po mundohet që ta bëjë të arsyetojë mazhorancën, duke i dhënë një shans që të tërhiqet.
“Këta me një ligj të thjeshtë i marrin presidentit një kompetencë që ia jep kushtetuta, nuk mundet, nuk ka arsyetim, të pranojmë që një dispozitë apo një nen i kushtetutës të shfuqizohet me një nen të një ligji të thjeshtë. Ata e kanë në dorë, mund ta ndryshonin dispozitën në kushtetutë, mund ta hiqnin nga kushtetuta nenin përkatës dhe të thonin që edhe në kushtetutë betimi bëhet me noter, me shofer, a ku e di unë çfarë. Ata nuk e bëjnë këtë sepse arroganca e tyre tejkalon edhe logjikën. Presidenti po mundohet që ta bëjë të arsyetojë mazhorancën. Mosdekretimi i këtij ligji, është një shans që mazhoranca të reflektojë dhe të tërhiqet në kufijtë e arsyes”, u shpreh Luan Rama.
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Presidenti Ilir Meta ka të drejtë. Luan Rama thotë në studion e lajmeve në Ora News, se mazhoranca nuk ka kundër fakte, por thjesht bën komente ose shpreh konsiderata.
“Jemi në kushtet kur Presidenti i Republikës ka bërë të ditur disa fakte të falsifikimit të dokumenteve, të praktikave në kundërshtim me ligjin për ta marrë kompetencën që kushtetuta ia jep presidentit. Nga ana tjetër, mazhoranca bën vetëm komente ose shpreh vetëm konsiderata, nuk paraqet kundërfakt për të thënë që nuk është e vërtetë që kjo praktikë është bërë në kundërshtim me ligjin, fjala vjen jo të shtunën kur është pushim administrata siç thotë presidenti, por është bërë konform kushtetutës. Kjo do të na jepte edhe në mundësinë të arsyetonim mi bazën e fakteve të palëve. Por përsa kohë, Presidenti paraqet fakte, qeveria paraqet komente atëherë kjo do të thotë që Presidenti ka të drejtë”, theksoi Luan Rama.
Lëvizja politike e Presidentit, thotë Luan Rama, synon ti japë një mesazh mazhorancës.
“Unë nuk dua të them Presidenti përsa kohë nuk është shprehur një palë e tretë. Por, lëvizja politike e ndërmarrë nga presidenti synon ti dërgojë një mesazh mazhorancës, që në mbrojtje të kushtetutës nuk është vetëm Presidenti i Republikës. Në kontest me papërgjegjshmërinë e një grupi të organizuar keqbërësish nuk është vetëm opozita, por ka edhe një masë qytetarësh që janë mazhorancë në këtë vend që nuk i intereson as kush është president dhe as kryeministër, por i intereson stabiliteti”, u shpreh Luan Rama.
Sipas LSI nëse qytetarët i përgjigjen Presidentit, atëherë atij i jepet e drejta legjitime të veprojë në emër të qytetarëve.