Luan Rama publikon foton e veçantë me mësuesin e tij me rastin e 7 marsit

Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama me rastin e 7 marsit, ditë e shënuar për mësuesit, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’i uruar ata. Teksa ka publikuar një fotografi me mësuesin e tij të fizikës, Rama shkruan se 7 marsi për ne shqiptarët duhet të shërbejë më shumë se sa për retorikën e pakursyer, për mirënjohje reale e plotësisht të merituar për mësuesin, duhet të na frymëzojë gjithmonë dashuri dhe respekt, nderim dhe përulësi.

Postimi i plotë:

HOMAZH DHE MIRËNJOHJE
MËSUESI IM SHYQYRI ZENELI…

7 marsi, ditëfesta e mësuesit sjell ndër ne kumtin e shenjtë të nderimit të përhershëm dhe të mirënjohjes së pacak për misionarët e dijes, për të gjithë ata që iu dedikuan profesionit më të çmuar, më të dobishëm dhe me ndikimin më të madh në lumturinë e përbashkët.

Nuk di që ndonjë popull tjetër ta ketë shenjuar nderimin e vet për mësuesit me një ditëfestë të veçantë, e mu për këtë veçanti, 7 marsi për ne shqiptarët duhet të shërbejë më shumë se sa për retorikën e pakursyer, për mirënjohje reale e plotësisht të merituar për mësuesin, duhet të na frymëzojë gjithmonë dashuri dhe respekt, nderim dhe përulësi.

E teksa sjell në mendje gjithë brezat e mësuesve dhe pedagogëve të mi të shumtë, ajo që i përbashkon të gjithë është kulti i fisnikërisë me të cilin ata kanë shërbyer, duke qenë e mbetur modeli për t’u ndjekur e mbërritur.

Por, në këtë 7 mars dua të përveçoj njërin prej tyre, Shyqyri Zenelin, mësuesin tim të fizikës në shkollën e mesme të përgjithëshme “Bardhok Biba” në Rrëshen, ku ai shërbeu edhe si drejtor në vitet 1984-1985.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite prej asaj kohe, Shyqyri Zeneli jo vetëm për mua, po jam i bindur edhe për të gjithë ish gjimnazistët e brezit tim, për kolegët e tij mësues dhe të gjithë ata që e njohën, qe modeli i mësuesit që imponohej me shembullin, seriozitetin, korrektësinë, maturinë dhe devocionin qytetar.

Duke e konsideruar veten misionar në shërbim të dijes dhe edukimit, Shyqyri Zeneli vajti vullnetar nga Vlora në Mirditë ku punoi me të njejtin përkushtim, edhe pse në qytetin e tij të lindjes ishte ndër emrat më të respektuar jo vetëm të mësimdhënies, por edhe si veprimtar i angazhuar dhe si një ndër përfaqësuesit e rendit të parë të komunitetit çam.

Sëmundja e rëndë e ndau nga jeta gati 18 vjet më parë, por ajo nuk mundi të ndajë kurrë nga emri dhe vepra e Shyqyri Zenelit nderimin dhe respektin e të gjithë atyre e e patën mësues dhe koleg.
“- Mësuesi prek përjetësinë, ka thënë Henry Adams, ndaj kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij“.
Ndaj, nëse do të duhen krijuar statuja për njerëzit e rëndësishëm, duhen krijuar për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë tonë.

Homazh dhe mirënjohje të përjetshme mësuesi im Shyqyri Zeneli!

( Në foto me Shyqyri Zenelin në mbrëmjen e maturës, Rrëshen qershor 1985 ).

SHKARKO APP