Luan Rama: Sfidoj Kryeministrin të shkojmë në Selenicë t’i thotë qytetarëve pse i hoqi fondet për rrugën

Zëvendës Kryetari i LSI, Luan Rama në një deklaratë për mediat në lidhje me çështjen e ndërprerjen e financimit të rrugës që lidh Selenicën me autostradën Levan Tepelenë dhe Peshkpinë me Selenicën.

Luan Rama i drejtoi pyetje kryeministrit se pse përse i hoqi dhe i anuloi fondet  e parashikuara për ndërtimin e rrugës së Selenicës. Ai tha se e sfidon Kryeministrin të shkojnë bashkë në Selenicë dhe t’i kthejë përgjigje qytetarëve.

Luan Rama: Edhe në nisje të këtij viti kryeministri vazhdoi të shfaqet ai që është i papërgjegjshëm, provokativ, i vendosur në rrugën e theqafjet përballë malit të korrupsionit, papërgjegjshmërisë që identifikon qeverinë e tij . Rasti më i fundit është qëndrimi në Vlorë duke fyer poshtëruar vetë qytetarët e Vlorës por dhe duke bërë të qartë portretin e tij real.  Sot jam këtu që jo vetëm për qytetarët e Vlorës dhe Selenicës ta pyes Ramën përse i hoqi dhe i anuloi fondet  e parashikuara për ndërtimin e rrugës së Selenicës.

Ca ndodhi që projekti u gjymtua dhe pse fondet e dedikuara për banorët e Selenicës dhe gjithë bashkisë, përse fondet e dedikuara për të rregulluar rrugën që lidh Peshkpinë me  Selenicën dhe Selenicën me autostradën Levan -Tepelenë u hoqën.  Ajo zonë që është vetëm diçka më shumë se 20 km larg nga deti dhe Vlora, është sot zona më e mjeruar, më e varfër e Shqipërisë. Për këtë duhet të përgjigjet qeveria dhe t ë mos nxjerrë justifikime për të mbuluar shkeljen e kushtetutës. E sfidoj Kryeministrim Rama të shkojmë bashkë në Selenicë dhe t’i tregoj qytetarëve të Selenicës pse i hoqi fondet për rrugën.

Deklarata për mediat e Zëvendëskryetarit të LSI-së, Luan Rama

Mirëdita të gjithëve! Më lejoni pikë së pari që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të uroj të gjithë qytetarët shqiptarë për vitin e ri 2021, me shpresën dhe besimin e plotë se ky vit do të jetë realisht i ri në kuptimin më të plotë të fjalës për të gjithë ju, për familjet tuaja, për një shëndet pikë së pari të mirë për të gjithë, por edhe për mirëqenie dhe gëzim siç dëshironi të gjithë ju.
Natyrisht duke qenë se është fillim viti do të duhej që me këtë gjuhë, me gjuhën e përgjegjësisë për sfidat që na duhet të përballojmë këtë vit, të shfaqej edhe qeveria, edhe kryeministri. Mirëpo jo rastësisht dhe as nuk është surprizë, edhe në nisje të këtij viti, kryeministri i vendit vazhdoi të shfaqet në fakt ai që është për shqiptarët, i papërgjegjshëm, provokativ dhe i vendosur në rrugën e theqafjes përballë gjithë malit të korrupsionit, të shpërdorimit dhe të papërgjegjshmërisë me të cilën identifikohet qeverisja e tij.
Rasti më i fundit është qëndrimi spekulativ, abuziv dhe korruptiv që ai mbajti në Vlorë, duke fyer dhe poshtëruar pikë së pari vetë qytetarët e Vlorës, por edhe duke ia bërë të qartë atyre portretin e tij real. Sot nuk është çështja se me sa romantizëm apo sa qesëndi e sheh kryeministri çështjen e investimeve në Vlorë, të cilat nuk janë për qytetarët e Vlorës të identifikuara me fasadën dhe me spektaklin e shëmtuar që ai realizon. Por qytetarët e Vlorës në të gjithë qarkun, ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ndjejnë deri në palcë papërgjegjshmërinë, ndjejnë mungesën e angazhimit real të qeverisë për t’i ofruar atyre shërbime, cilësi, siguri dhe një jetë më të mirë.
Ndaj sot jam këtu, që jo vetëm për qytetarët e Vlorës, jo vetë për qytetarët e Selenicës, por edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ta pyes Kryeministrin Edi Rama. Përse i hoqi apo i anuloi fondet e parashikuara për ndërtimin e rrugës së Selenicës? Çfarë ndodhi që projekti i trumbetuar me aq të madhe, u gjymtua? Dhe përse fondet e dedikuara për banorët e Selenicës dhe të gjithë asaj bashkie, përse fondet e dedikuara për rrugën që lidh Peshkpinë me Selenicën dhe në anën tjetër Selenicën me autostradën Levan-Tepelenë u hoqën? Përse vazhdon të lihet mjerisht në një situatë skandaloze e gjithë popullsia e Selenicës, e cila në 30 vjet me radhë ka qenë dhe laboratori më i shëmtuar i papërgjegjmërisë së qeverisë? Mirëpo nëse në 30 vjet me radhë atje nuk është vënë dorë për asnjë gjë, çfarë u bë në 8 vitet e fundit të qeverisjes së Edi Ramës? Aq më tepër se asgjë. Atje gjithçka është e mbyllur dhe e pllakosur nga mjerimi, nga varfëria dhe mungesa totale e vëmendjes së qeverisë ndaj qytetarëve atje. Politika e ndjekur nga qeveria ndaj banorëve të Selenicës, është dëshmia më e qartë e politikës anti popullore, anti qytetare dhe anti zhvillim të kësaj qeverie. Dhe ajo zonë që është vetëm diçka më shumë se 20 km larg nga deti dhe nga Vlora, është sot padyshim zona më e mjeruar, më e varfër dhe më e braktisur e Shqipërisë,. Për këtë duhet të japë përgjigje Edi Rama. Për këtë duhet të përgjigjet qeveria dhe të mos nxjerrë justifikime për të fshehur dhe për të mbuluar shkeljen e Kushtetutës, për të shkelur dhe mbuluar veprime abuzive që e trajtojnë pasurinë kombëtare, që i trajtojnë kreditë që merren në emër të taksapaguesve shqiptarë si paratë e xhepit të tyre të korrupsionit.
Natyrisht nuk është vetëm Selenica, nuk është vetëm lumi i Vlorës, nuk është vetëm rrethina e kësaj zone me potenciale të mëdha njerëzore, intelektuale, natyrore që do të mund ta bënin Vlorën ashtu siç duhet të jetë, qendrën apo mbretëreshën e turizmit shqiptar. E gjithë zona e Vlorës, edhe në qytet nuk mund të fshihet prapa fasadave të një rrugë, qoftë kjo edhe Lungomare, e cila është kthyer në një makth jo vetëm për vlonjatët, por për të gjithë qytetarët e Shqipërisë që duan të kalojnë në zonën e bregut. Jo vetëm për këtë, por për ujërat e zeza që derdhen në det, edhe atje ku kryeministri shkon dhe bën spektaklin e vet. Për mungesën e infrastrukturës rrugore, se vetëm 10-15 metra larg Sheshit të Flamurit apo larg Lungomares janë rrugët të mbushura nga balta, nga gropa dhe që janë fytyra e vërtetë e shëmtisë së qeverisjes së Edi Ramës në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë.
Prandaj vëllezër dhe motra, qytetarë të Vlorës dhe të të gjithë Shqipërisë, është koha jo thjesht për të ndëshkuar këtë qeverisje kriminale ndaj qytetarëve, por është koha pikë së pari për ta shpëtuar dhe për ta pastruar Vlorën nga Edi Rama dhe çibanët e tij të korrupsionit, është koha që më 25 prill qytetarët shqiptarë të dëshmojnë se nuk i lidh më asgjë me krimin, me korrupsionin, me abuzivizmin dhe me paligjshmërinë dhe me shëmbëlltyrën më të shëmtuar të shkeljes së Kushtetutës dhe të ligjit.
Nuk kam asgjë më shumë të shtoj nga ajo çfarë thonë vlonjatët për Edi Ramën. Na shpëtoni dhe hajde të bëhemi bashkë të shpëtojmë nga ky çiban. Prandaj nëse Edi Rama ka këllqe e sfidoj të shkojmë bashkë në Selenicë dhe të shohim e tu tregojë qytetarëve të Selenicës se pse i hoqi fondet e rrugës dhe i çoi diku tjetër. Tu tregojë qytetarëve të Vlorës sesi është e mundur që në 8 vjet asnjë investitor vlonjat, asnjë biznes i Vlorës, asnjë kompani vlonjate nuk ka marrë qoftë edhe një lek fond nga buxheti i shtetit apo nga projektet e Vlorës, për të dëshmuar që vëmendja e qeverisë është, që vlonjatët të jenë pikë së pari për Vlorën dhe mandej e gjithë Vlora dhe Shqipëria të jenë për Shqipërinë europiane. Faleminderit!

SHKARKO APP