Luan Rama: Shtyrja me dy muaj e gjendjes së fatkeqësisë, akt flagrant anti-kushtetues
Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka denoncuar sot vendimin e qeverisë për të shtyrë me dy muaj të tjerë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Në një deklaratë për mediat, Rama u shpreh se Kushtetuta nuk lejon asnjë marrëzi të tillë dhe qeveria duhet të tërhiqet nga kjo nismë anti-kushtetuese.
“Duke iu referuar edhe situatës konkrete, faktike të gjendjes në të cilën është popullsia në Republikën e Shqipërisë, në raport me epideminë e pandemisë së Coronavirus, rezulton se propozimi i qeverisë për të shtyrë dhe dy muaj të tjetër shpalljen e “Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore“ të jetë tërësisht flagrant dhe në kundërshtim me Kushtetutën, i pambështetur, i pamotivuar dhe i paarsyetuar, jo vetëm nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, por edhe nga realiteti faktik”,- deklaroi Luan Rama.
Ai argumentoi se neni 174 i Kushtetutës nuk lejon shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme për më shumë se 30 ditë, ndërkohë që qeveria “Rama” kërkon shtyrjen e saj me 2 muaj.
“Neni 174 I Kushtetutës e bën të qartë dhe thotë në mënyrë laksativ shqip dhe qartë që për parandalimin apo mënjanim e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik. Këshilli i Ministrave mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit, pika 2 e të njëjtit nen thotë që zgjatja e fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, por në kushtet kur pandemia është e kufizuar”,- tha ai.
Rama shtoi se edhe aktualisht qeveria ka tejkaluar gjendjen e fatkeqësisë natyrore, pasi shumë prej masave të marra nuk përputhen me këtë situatë.
KOHA JONË SONDAZH

