Luan Rama: Solidarësia si vlerë e shoqërisë shqiptare, jo si detyrim prej qeverisë!
Nga Luan Rama*
Zoti kryeministër, dikush ka urdhëruar ministritë e qeverisë tuaj që t’ju mbahet një pjesë e pagës punonjësve, si kontribut për zhdukjen e pasojave të tërmetit!
Ndalojeni këtë praktikë të shëmtuar e mos e ndyni solidarësinë si vlerë të shoqërisë shqiptare me urdhëra idiotësh që fyejnë më së shumti ata që u dēmtuan më rëndë nga tërmeti!
Ndër shqiptarët solidarësia është një vlerë thelbësore dhe e qenësishme.
Eshtë institucion që na vjen prej historisë së lashtë si trashëgimi e vyer e shfaqet ndër ne sa herë shpirti shqiptar vihet në provë përballë vështirësish të ndryshme; në fatkeqësi a në luftëra.
Solidarësia nuk ka nevojë për qeveri. As për kryeministër a president nuk ka nevojë.
Sepse është në shpirtin dhe në vetëdijen shqiptare.
E sa herë e ka lypur nevoja, shqiptarët janë bërë bashkë e përkrah njëri-tjetrit, i kanë ndarë bashkë, të keqen dhe të mirën.
Edhe tërmeti i 26 nëntorit dhe rrënojat e plagët e tij e vunë sërish në provë solidarësinë shqiptare, e ajo u shfaq padyshim më e fortë se tërmeti.
Shqiptarisht e bujarisht pranë e bashkë me njëri-tjetrin.
Prej kësaj vlere më së pari na erdhën të parët në ndihmë edhe vëllezërit e Kosovës.
Lërini qytetarët ta shprehin vetë solidarësinë me shpirt e zemër!
Solidarësia nuk bëhet me urdhër dhe as me vendime qeverish zoti kryeministër!
*Zëvendëskryetar i LSI