Luan Rama: T’i themi “ndal” duarve të pista të politikës në reformën në drejtësi

Zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama në një dalje publike për mediat i bëri thirrje maxhorancës që të heqë ‘dorë’ nga kapja e reformës në drejtësi dhe Gjykatës Kushtetuese.

Me tonën të ashpra Luan Rama theksoi se është momenti që t’i jepet fund futjes së duarve të politikës në reformës në drejtësi.

“Ajo që po ndodh në Gjykatën Kushtetuese dhe përpjekja për ta zaptuar zbulon qasjen e qeverisë për të kapur reformën në drejtësi, është momenti per ti dhënë ndal duarve të politikës dhe ndal ndaj reformës në drejtësi. Ndal duarve të pista të politikës në sistemin e drejtësi. Duan të kapin jo vetëm reformën por edhe të komprometojnë qytetarët. Lufta e shpallur nga ana e maxhorancës dhe qeverisë për të kapur gjykatën Kushtetuese, është luftë kundër Kushtetutës”, tha Luan Rama.

Deklarata e plotë e Luan Ramës

Jam sot në këtë konferencë për shtyp për të paraqitur dhe njëherë në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim shqetësimin e madh që është krijuar në vend me gjithë absurditetin e sjelljes së papërgjegjshme nga ana e mazhorancës dhe në mënyrë të veçantë nga ana e qeverisë për përpjekjen jo thjesht për ta kapur reformën në drejtësi, por dhe për ta instrumentalizuar dhe për të manipuluar atë për interesa jashtë interesave që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e Integrimit Europian.
Ajo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese, sulmi i shfrenuar, përpjekja në makutëri të plotë për ta zaptuar dhe për ta kontrolluar Gjykatën Kushtetuese zbulon në fakt në thelb gjithë qasjen e qeverisë ndaj Reformës në Drejtësi. Prandaj është sot koha më shumë se në çdo herë tjetër, është momenti për t’i thënë ndal duarve të politikës dhe larg politikës nga Reforma në Drejtësi. Ndal duarve të pista të krimit të veshura me kostumin politik, të cilët duan të kapin Gjykatën Kushtetuese, për ta instrumentalizuar atë pastaj duke kompromentuar në këtë mënyrë jo vetëm Reformën në Drejtësi, por mbi të gjitha duke kompromentuar besimin e qytetarëve shqiptarë se Reforma në Drejtësi do të krijojë institucione të pavarura, institucione që zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën.
Lufta e shpallur nga ana e mazhorancës dhe nga ana e qeverisë për të kapur Gjykatën Kushtetuese në fakt është luftë kundër Kushtetutës. Prandaj sot më shumë se kurrë i gjithë opinion publik shqiptar, e gjithë elita politike, klasa politike shqiptare në vend, njerëzit e përgjegjshëm, qytetarët që e duan këtë vend, duhet të zgjedhin përfundimisht në anën e Kushtetutës apo në anën e atyre që shkelin Kushtetutën.
Nuk ka rrugë tjetër, prandaj mbrojtja e Kushtetutës është detyrë patriotike për çdo qytetar shqiptar, sepse mbrojtja e Kushtetutës do të thotë mbrojtja e shtetit, mbrojtja e integritetit të vendit, mbrojtja e të gjithë atij investimi që ka bërë shoqëria shqiptare për integrimin europian të vendit.
LSI është e vendosur dhe do të kontribuojë maksimalisht për të qenë faktor stabiliteti, për të qenë një faktor stabilizues në të gjithë këtë sfidë, që të bëjë bashkë shoqërinë shqiptare në mbrojtje të Kushtetutës, për t’i dhënë të gjithë mbështetjen e nevojshme jo vetëm Presidentit të Republikës si gardiani i parë i Kushtetutës së vendit, por mbi të gjitha për t’i dhënë mbështetje Reformës në Drejtësi që ajo të kthehet në normalitetin në të cilin është votuar në vitin 2016.
Shqipëria nuk ka rrugë tjetër përveçse integrimit europian dhe integrim europian do të thotë respektim, mbrojtje dhe zbatim i Kushtetutës, i ligjit në përputhje me rekomandimet e dhëna edhe nga Gjermania, e cila është në thelb platforma nëpër të cilën duhet të ecë Shqipëria për të përmbushur prioritetin kombëtar të integrimit europian të vendit.
Dua të denoncoj publikisht edhe njëherë, spekulimin, mashtrimin dhe manipulimin që i bën opinionit publik kryeministri i vendit, i cili për të përligjur shkeljen e Kushtetutës, me votimin e paligjshëm që bëri Kuvendi duke kapërcyer radhën për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese është shprehur se kjo ka qenë një zgjidhje e unisuar me partnerët ndërkombëtar me SHBA-në dhe Bashkimin Europian. Nuk është e vërtetë sepse nuk ka asnjë partner ndërkombëtarë të Shqipërisë, nuk ka asnjë përfaqësueses të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Bashkimit Europian që të kërkojë të shkelë Kushtetutën për të bërë zgjedhje dhe zgjidhje në të mirë të mazhorancës.
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneriteti me Bashkimin Europian, partneriteti me të gjithë faktorët ndërkombëtar që mbështesin Shqipërinë fillon nga respektimi i Kushtetutës nga zbatimi i ligjit dhe nga dhënia fund një herë e mirë e pandëshkueshmërinë që është sëmundja që ka kapur për fyti jo vetëm qeverisjen, por të gjitha zhvillimet politike në vend.
Prandaj edhe njëherë Lëvizja Socialiste për Integrim i bën edhe një herë thirrje mazhorancës të largojë duart nga Reforma në Drejtësi, të largojë duart nga Gjykata Kushtetuese dhe t’i kthehet detyrimit për të zbatuar dhe për të mbrojtur Kushtetutën, në të kundërt qytetarët shqiptarë duhet të bëhen të vetëdijshëm, përballë tyre ka vetëm një moto, “Të mbrojmë Kushtetutën, të mbrojmë Republikën.”

SHKARKO APP