Luan Rama: Turp i madh të tentosh të blesh varfërinë! Pushtetarë garendin gjithkah me torba e një taborr me kamera…

Nga Luan Rama

“Mos e fyej varfërinë!
Të jesh i varfër nuk është turp.
Turp është të jesh i pashpirt me varfërinë.

Ndaj, cilido që bamirësinë e ka shenjë fisnikërie dhe dëshmi bujarie, nuk bën asgjë tjetër, por përligj atë që është e lashtë sa bota: mirësinë e shpirtit njerëzor.

E ka thënë edhe Naim ynë, beu i madhi i letërsisë:
“Oh, epni ju që kini!
Kush i ndih varfërisë,
Ay q’ep, po e dini,
Q’i huan Perëndisë”.

Të jesh i varfër nuk është turp.
Por është turp i madh të jesh i pafytyrë me varfërinë.
Është turp i madh të jesh matrapaz me varfërinë e të tentosh ta blesh, që më pas ta shesësh atë për humanizëm e për solidaritet.
Se e mira, as shitet dhe as përmendet.

Ç’poshtërsi!
E kanë bërë dhe po e bëjnë shumë njerëz të pushtetit; kryetarë bashkish dhe deputetë, ish ministra e të tjerë si ata.

Ngarendin gjithkah me torba në krah e një taborr me kamera dhe fotografë nga pas, dhe pasi e blejnë neveritshëm varfërinë e ndershme deri në dhimbjen e shpirtit, e trafikojnë mes buzëqeshjesh të ngërdheshura prej grimasave të hipokrizisë, në tregun e perversitetit të tyre të zhurmshëm!

“E mjerimi, mirfilli ndien tradhti”.
Refreni migjenian, gjithnjë i pranishëm në jetën shqiptare!
Fisnikëria e heshtur e bujarisë dhe e mirësisë njerëzore, nuk ka nevojë për këtë rracë të neveritshme!
O njeri, mos e fyej varfërinë!”

SHKARKO APP