“Lufta e bandave në Tiranë”, Shullazi ndalohet për armëmbajtje pa leje
Policia e Tiranës ka shoqëruar në komisariat Emiljano Shullazin, për armëmbajtje pa leje. 36 vjeçari ka tentuar paraditen e sotme që të largohej nga Spitali i Traumës ku ndodhej i shtruar prej mbrëmjes së djeshme, pas atentatit të bërë ndaj tij dhe mikut Gilmando Dani pranë mbikalimit të Kasharit.
Ndonëse I plagosur, Shullazi kishte nisur procedurat për t’u larguar nga spitali me dëshirën e tij, por nuk është lejuar, Luftë bandash në mes të Tiranës. Mbrëmë për disa minuta rruga “Islam Alla” dhe “Him Kolli” që të lidhin me Rrugën e Kavajës në kryeqytet, është bërë shesh i shkëmbimit të zjarrit. Një person ka mbetur i vdekur dhe të paktën tre të tjerë rezultojnë të plagosur, mes të lënduarve nga plumbat është edhe një efektiv policie.
Çfarë ndodhi mbrëmjen e djeshme
Policia e Tiranës sqaron sot paradite rrethanat në të cilat ndodhën atentatet e mbrëmshme. Rreth vrasjes së Arianit Sterjo Alias, policia konfirmon se mbrëmë rreth orës 19.40, në rrugën e Kavajës në Tiranë, është vrarë si pasojë e një shkëmbimi zjarri, shtetasi Arjanit Sterio Alias, 42 vjeç, banues në Tiranë.
Policia sqaron paraprakisht, dyshohet se viktima ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasin: Pajtim Xhevahir Serjani, 32 vjeç, Denis Reshat Ramani, 28 vjeç, Ditmir Dilaver Reçi, 33 vjeç dhe Roland Besnik Meta, 37 vjeç, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale.
Fillimisht, është plagosur në pjesën e këmbës shtetasi Pajtim Serjani, i cili menjëherë pas ngjarjes është transportuar për në Spitalin Universitar Tiranë.
Ndërkohë, gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka ndërhyrë punonjësi i policisë Roland Meta, ku më pas sulmi ka vijuar duke mbetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë Roland Meta. Nga një analizë e hollësishme e bërë, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e punonjësit të policisë është bërë dhe arrestimi në flagrancë i tij.
Atentati mbi Emiljano Shullazin
Po në të njëjtën orë një tjetër ngjarje me shënjestër personazhë të njohur të kronikës së zezë ndodhi në Tiranë, por këtë radhë pak kilometra larg Tiranës. “Mbrëmë rreth orës 19.30, në fshatin Bërxullë Tiranë, në afërsi të mbikalimit Kashar, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët përgjatë momenteve të ngjarjes po udhëtonin me automjetin e tyre, tip Golf 4, me targë AA629HR, njoftoi sot policia.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Hajdar Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Nesim Dani, 36 vjeç, të cilët ndodhen sot nën kujdesin e mjekëve.
Në vendin e ngjarjes, u formua grupi hetimor të cilët kryen veprimet e para hetimore, duke mbledhur dhe administruar provat në vendngjarje dhe sekuestruar disa gëzhoja.
Materialet hetimore ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbatje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 22 dhe 278/4 i Kodit Penal.
Seksioni Kundër Akteve Terroriste në Policinë e Tiranës, filloi proçedimin penal dhe punohet për kapjen e autorëve.
Me 6 Qershor 2011 ndaj Shullazit e Danit ka pasur nje tjeter atentat. Krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Gilmando Dani i shpëtoi me një plumb në këmbë atentatit të kurdisur pranë shtëpisë së tij në lagjen “21 Dhjetori”. Kjo ngjarje shënoi edhe rinisjet e përplasjes së dy bandave në Tiranë.
Kush është Shullazi, “personazh” i drejtësisë
Emiljano Shullazi është një person i njohur për drejtësinë pasi ai ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe trafik droge. Në vitin 2013, Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënonte Emiljano Shullazin dhe shokun e tij, Elidon H. me 1.5 vite burg nën akuzën e armëmbajtjes pa leje. Gjyqi ndaj Shullazit ishte shtyrë shtatë herë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, por gjykatësi Astrit Kalaja shqiptoi vendimin ndaj të pandehurve, duke lënë në fuqi dënimin e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. Dy të pandehurit ishin të pranishëm në seancë. Emiliano Shullazi dhe Elidon Harizaj ishin arrestuar në vitin 2012 në kryqëzimin e Shëngjinit, në Lezhë me akuzën për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Ndërkohë, në prill të 2014, Shullazi është shoqëruar dhe më pas është lënë i lirë pas një sherri që pati me disa të rinj. Emiljano Shullazi u la i lirë edhe për faktin se gjatë shoqërimit, atij nuk i ishin gjetur me vete armë apo sende të tjera të ndaluara. Shullazi është arrestuar të paktën 3 herë nga policia, ku së fundmi ai ka qenë duke kryer dënimin për armëmbajtje pa leje.
Beteja e dy bandave, dhjetra të vrarë prej 1999
Atentati i mbrëmshëm duket se është pjesë e një seriali vrasjesh me dhjetra të vdekur të filluar që më vitin 1999 me ndarjen e njërës prej bandave kriminale në kryeqytet. Prej këtij viti dhjetra të vdekur numërohen nga të dyja krahët. Më të përmendurat janë vrasjet e Denis Ginës, Edgar Libohovës, Ervin dhe Ergys Borovës, Alban Danit apo Erald Harshovës. dhe mjaft të tjerë që kanë humbur jetën në përplasjet mes dy grupeve. Krisja e parë e bandës nisi me 27 mars te vitit 1999 në afërsi të lokalit VIP pranë ish-Bllokut ku u ekzekutua Ervin Borova. Kjo shërbeu në të njëjtën kohë si fillim i vrasjeve të djemve të Rrugës së Kavajës. Autori i kësaj vrasjeje ende nuk ishte identifikuar nga policia. Kohë më vonë familja Borova pësoi edhe një viktimë tjetër vëllai i Ervinit Ergysi u qëllua për vdekje në 4 maj te 1999-es në banesën e tij në Tiranë. Më 22 qershor te vitit 1999 ekzekutohen me antitank Denis Gina dhe Median Shehu. Më 23 dhjetor 1999 pranë Presidences u ekzekutuan Santiliano Elezi dhe Fatmir Hado. Të njëjtin fat po më 11 janar 2000 patën Andi Hasani, Sokol Alushi si dhe Gazmend Zeneli. Në vitin 2003 vëllai i Gazmendit Arjan Zeneli i njohur me nofkën Gaforrja u ekzekutua në rrugën Irfan Tomini. Seriali mori permasa edhe me të frikshme kur më 9 mars të vitit 2000 në Burgun 313 u ekzekutua me një armë tip snajper në qeli Ilir Bardhi. Bardhi ishte i arrestuar për atentatin ndaj Denis Ginës. I dyshuari për krimin Alban Dani u ekzekutua në Durrës në pistën Iliria në vitin 2001. Pak kohë pas këtij krimi ndodhi atentati ndaj Ilir Borovës vellait të tretë të vellezërve të vrarë më 1999 Ervinit dhe Ergysit. Nga ky atentat mbeti i vdekur shoku i tij Ilirjan Zhupani. Me 1 prill të vitit 2002 sipas uniformave blu të kryeqytetit vritet Erald Hashorva.
Kurse me 30 korrik 2011, vritet Sokol Doçi, një jurist me profesion, por i njohur edhe për miqësinë e tij të hershme me rivalët e Shullazit. Me dy plumba në kokë Sokol Doçi, 33 vjeç, është ekzekutuar vetëm pak metra pranë shtëpisë, sapo kishte dalë nga makina e tij luksoze, një BMV të serisë 7.
Me 26 shtator 2011, u vra Arjan Selimi, një emër i njohur për shkak të arrestimit në vitin 2004 për trafik ndërkombëtar droge në operacionin “Kompas”. Selimi nuk ka qenë i rreshtuar me dy grupet rivale në Tiranë, por gjatë kohës së burgut ai kishte qenë shok dhome me Shullazin. Kurse me 20 mars 2012 u ekzekutua me 6 plumba pranë shtëpisë së tij Arlind Fuga. 34-vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe njihet prej fqinjëve të tij si person pa probleme. Hetimet u fokusuan te miqësia e tij e hershme me Emiljano Shullazin.