Lufta e PD si opozitë, Basha ekip ”të ri” pa emra kritikë

Nga: Redjon Shtylla

Partia Demoktatike ka ndryshuar drejtuesit e strukturave si brenda partisë dhe ato në Kuvend, dhe tashmë Lulzim Basha ka një ekip ”të ri”, por me emra të ”vjetër” dhe pa kritikët për nisjen e një mandati të tretë në rolin e opozitës. Dje Këshilli Kombëtar votoi listën e Bashës për 4 nënkryetarët, 11 sekretarët, drejtuesit e departamenteve si dhe për ”pushtetet” e PD-së në Parlament. Në të gjitha këto poste janë vënë emra nga ekipi i kreut Basha, ku mungojnë zërat kritikë.

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj, Çlirim Gjata u lanë jashtë listës së Bashës. Kryedemokrati ka vendosur të mos i besojë asnjë post drejtuesit politik të Korçës, Edmond Spaho. Edi Paloka do të bëhet kryetari i ri i Këshillit Kombëtar të PD-së. Paloka zëvendëson ish-Presidentin Nishani, i cili mbetet vetëm anëtar i Këshillit Kombëtar. Këtë ekip, vetë Bujar Nishani e cilëson si një dhuratë për Edi Ramën, por që sipas tij do ti kushtojë politikisht PD-së dhe të djathtës politike në Shqipëri në 50 vitet e ardhshme, nëqoftëse shton Nishani, nuk do të mundësohet një uragan politik popullor.

Në lista janë emrat e ”vjetër” dhe në të ka shumë pak të rinj, ku duket se hapësira për ta është e vogël, vetëm posti i deputetit. Vetë kreu Basha dha sinjalet e para se do të pranojë bashkëpunim politik me mazhorancën, duke folur për nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Analisti Gjergji Vurmo thotë se ”I takonte opozitës të fillonte rolin e vet me disa beteja që janë të rëndësishme për qytetarët. Reforma elektorale është më shumë e rëndësishme për partitë politike se sa për qytetarët”.

Analisti Fatos Lubonja thotë se emra si Alfred Rushaj, Jorida Tabaku apo Grida Duma janë njerëz të Bashës dhe me ta lideri Basha siguron një unitet të pushtetit brenda partisë. ”Anija e opozitës duhet të lundrojë në ujëra shumë të turbullta, të frikshme, do të ketë përplasje, duhet të ketë përplasje të forta. Përplasje të forta jo vetëm institucionale se opozita bën dhe protesta. Jorida Tabaku dhe Grida Duma janë provuar, janë të Bashës”.

Fryma opozitare kërkon energji, dinamizëm dhe PD e ka provuar në 8 vite që me ekipin që ka pasur nuk ka arritur që të marrë frenat e qverisë, dhe sërish me këtë ekip ku ndryshimi i vetëm është se në poste drejtuese ka më shumë gra, duket se do të jetë një ”luftë” grash, pasi edhe qeveria ”Rama 3” thuhet se do të ketë shumë ministre zonja.

Pas 25 prillit ka një heshtje brenda koalicionit PD-LSI. Në një kohë që PD flet jo hapur për bashkëpunim me qeverinë, LSI-ja është e vendosur për përballje. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili thotë se pa u zgjidhur 25 prilli nuk ka Parlament, por vetëm një farsë. Sipas tij, përballja është e pashmangshme me të vërtetën.

’25 prilli është kryekrimi i Rilindjes dhe asnjë inskenim me regji për të devijuar vëmëndjen nuk e shpëton dot atë! 25 prilli është krimi më i rëndë i konsumuar nga Rilindja në këto 30 vjet. 25 prilli është kryeçështja, që kërkon përgjigje me hir ose me pahir”.

Jeta parlamentare e LSI-së është e varur nga bashkëpunimi me PD-në, pasi forca e tretë parlamentare nuk ka numrat e nevojshëm në sallë për të formuar grupin e saj parlamentar dhe procedurialisht i duhen tre deputetë të tjerë në mënyrë që të bëhet pjesë e organeve më të larta të Kuvendit.

SHKARKO APP