Lufta e re e Rusisë, a preket Ballkani Perëndimor?
Nga Daniel Muçaku-
Rusia e Presidentit Putin nga çasti në çast mund të pushtojë Ukrainën e cila ka 44 milionë banorë. Alarmi është dhënë nga vetë presidenti amerikan Biden, por u tha edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Ndërkohë e gjitha Bota është me zemër në dorë pasi një pushtim rus ndaj Ukrainës është një alarm i madh botëror sepse Rusia nuk ndalon me Ukrainën.
Sekretarja e jashtme e Britanisë së Madhe Liz Truss ka paralajmëruar se Vladimir Putin do të vazhdojë luftën me vendet fqinje, nëse lejohet të pushtojë Ukrainën. Dhe më pas Rusia do të destabilizojë Ballkanin Perëndimor ku futet Kosova, Serbia, Shqipëria, Mal i Zi dhe Maqedonia.
Në këtë rast Serbia ka mbështetjen e hapur të Rusisë. Ndërkohë Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, paralajmëroi për mundësinë shumë reale të luftës në Evropë. Duke folur për mediat në Konferencën e Sigurisë në Munih, nënpresidentja Harris u bëri thirrje të gjithëve që të ndalen për “një çast për kuptuar rëndësinë e asaj për të cilën po flasim”, në lidhje me trupat ruse të grumbulluara pranë kufirit ukrainas.
“Kanë kaluar mbi 70 vjet dhe gjatë këtyre 70 vjetëve, siç e përmenda dje, ka pasur paqe dhe siguri. Ne po flasim për mundësinë reale të luftës në Evropë”, tha ajo.
Zonja Harris ritheksoi se një zgjidhje diplomatike ishte ende zgjidhja e preferuar për çështjen e pushtimit të mundshëm të Ukrainës nga Rusia. Pas telefonatave me presidentin rus dhe atë amerikan, presidenti francez, Emmanuel Macron propozon një samit në nivelin më të lartë për krizën në lindje të Europës. Do të takohen vërtet presidentët e SHBA dhe Rusisë, Joe Biden dhe Vladimir Putin? Sipas informacioneve të Pallatit Elysée të dy presidentët kanë rënë parimisht dakord për një takim të nivelit në lartë në lidhje me krizën në Ukrainë, pas propozimit të presidentit francez, Emmanuel Macron. Por Parisi përmend një kusht: “Ky takim mund të zhvillohet, vetëm nëse Rusia nuk marshon në Ukrainë”, thuhet nga zyra presidenciale, pasi Macron ka telefonuar me të dy presidentët. Samiti do të duhet të përgatitet nga dy ministrat e Jashtëm, Antony Blinken dhe Sergej Lavrov që duan të takohen të enjten. Macron telefonoi të dielën me të dy presidentët. Me Putin ai telefonoi dy herë, gjithsej 3 orë. Të dy u përpoqën për hapa drejt armëpushimit në Ukrainën Lindore dhe rrugët e diplomacisë. Macron telefonoi edhe me kancelarin, Olaf Scholz dhe kryeministrin, Boris Johnson. “Kryeministri dhe presidenti Macron janë të një mendimi, se java e ardhshme do të jetë vendimtare për diplomacinë”, thuhet nga Downing Street në Londër. Johnson dhe Macron në deklaratën e tyre kanë theksuar, se Putini duhet të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të lerë mënjanë kërcënimet.
Rusia, sipas të dhënave të Perëndimit ka stacionuar 150.000 ushtarë në kufirin e Ukrainës, por e mohon, se po planifikon një sulm ndaj vendit fqinj.
Udhëheqësit perëndimorë paralajmërojnë se Rusia është e gatshme të sulmojë Ukrainën fqinje e cila është e rrethuar nga tre anët nga rreth 150,000 ushtarë, avionë luftarakë dhe pajisje ushtarake ruse. Ky pushtim rus fut frikën në krejt Europën, por veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku akoma Kosova dhe Serbia janë në konflikt. Serbia vitin e fundit ka marrë shumë armatim luftarak modern nga Rusia, cka e bën shtet të rrezikshëm në Ballkan.
Publikisht dihet se presidenti serb Vuçiç është mik i ngushtë i presidentit rus Putin. Ndaj siç paralajmëroi sekretarja e jashtme e Britanisë së Madhe ekziston rreziku për destabilitet në Ballkan. Retorikat e miqësisë serbo-shqiptarre të viteve të fundit shkrihen si kripa në ujë në rast se Rusia pushton Ukrainën dhe synon të shtrihet në Ballkanin Perëndimor. Vendet e Balltikut, pas Ukrainës, janë synim i Rusisë, por kjo është luftë që fillon por nuk nuk mbaron.
Fillimi i një lufte të re në Europë mund të nxisë Kinën të pushtojë ishullin e Tajvanit, të cilin e ka halë në sy dhe e quan si pjesë të Kinës. Por pushtimi i Tajvanit do të shkaktojë tension mes Kinës dhe SHBA. Kina nuk është më ajo e para njåzet viteve. Ajo është bërë supërfuqi botërore paralel me SHBA dhe Rusinë, aq me tepër që ka ushtrinë me të madhe në botë me 2.3 milionë ushtarë.
Ndaj pushtimi rus i Ukrainës mund të sjellë efektin domino në Europë dhe Botë.
Kanë kaluar 70 vjet pa luftë botërore ndaj njerëzimi i druhet një lufte të re.