Deutsche Welle: Lufta në Gaza vë në sprovë marrëdhëniet SHBA-Izrael
Prej dekadash, Izraeli ka qenë një aleat i ngushtë, por jo rrallë edhe i vështirë për Shtetet e Bashkuara. Pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023, lufta e Izraelit në Gazë ka rritur pakënaqësinë e SHBA.
Në Uashingtonin politik republikanët dhe demokratët shpesh nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Por në një çështje ka qenë gjithmonë të një mendimi: Marrëdhëniet mes SHBA dhe Izraelit janë të paprekshme. Në të gjitha dekadat, në të cilat kanë qenë në pushtet, herë republikanët e herë demokratët, nuk ka ndryshuar asgjë në miqësinë me Izraelin. Liderë të të dy partive kanë theksuar, se Izraeli nuk ka aleat tjetër më të ngushtë se SHBA, dhe se siguria e Izraelit është e panegociueshme.
Gati 300 miliardë euro mbështetje për Izraelin kanë paguar Shtetet e Bashkuara që nga viti 1948, kur u krijua shteti izraelit. Shumica sipas Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme, Council on Foreign Relations kanë qenë ndihma ushtarake. “Marrëdhëniet vërtet janë unike”, thotë Chuck Freilich, ish-këshilltar i sigurisë i qeverisë izraelite, docent i përkohshëm në Universitetin Columbia në Nju Jork dhe Tel Aviv. Për Deutsche Wellen ai thotë, se “nuk gjen shumë shembuj të tjerë si ky”. Sipas Freilich, vlera të përbashkëta, interesa strategjike dhe një lobig i fortë janë shtyllat kryesore të kësaj marrëdhënieje. Komiteti Amerikano Izraelit për Çështje Publike, American Israel Public Affairs Committee (AIPAC) është një nga shoqatat më efektive lobiiste në kryeqytetin amerikan. Ai angazhohet për marrëdhënie të ngushta mes dy vendeve, pavarësisht partisë politike që vjen në pushtet.
Për Uashingtonin Izraeli është një avantazh strategjik
Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA u akuzua, se nuk ka bërë sa duhet për të mbrojtur hebrenjtë në Europë nga Holokausti. Por kur krerë të lëvizjes cioniste në maj të vitit 1948 shpallën pavarësinë e Izraelit, SHBA e njohu shpejt shtetin e ri. Që atëherë Izraeli prezantohet si një demokraci liberale, që përfaqëson interesat e SHBA në një rajon, që shpesh nuk është miqësor ndaj SHBA. “Ka pasur një kohë, kur Izraeli shihej thjesht si barrë”, thotë Freilich. Një konflikt mes Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë që gjatë Luftës së Ftohtë orientoheshin më shumë nga Bashkimi Sovjetik, përmbante gjithmonë rrezikun e një shkallëzimi të situatës mes superfuqive atomike. “Që nga vitet 90-të, Pentagoni e sheh Izraelin si avantazh strategjik.”
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Izraeli për SHBA u kthye në një vend që nuk i linte të bënin çap kundërshtarët e vegjël si Irani apo vende të tjera kundërshtare. Kjo çoi në “bashkëpunimin më të ngushtë strategjik në historinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Izraelit”, sipas Freilich. Pas sulmit terrorist të 7 tetorit 2023, SHBA nxituan dhe i ofruan armë Izraelit, dërguan aeroplanmbajtëse në rajon dhe vendosën veton kundër armëpushimit në rezolutat e Këshillit të Sigurimit.
Këshilli i Sigurimit kërkon ndalimin e luftimeve në Gaza, duke folur Riyad Mansour, përfaqësuesi palestinez në Këshillin e SigurimitKëshilli i Sigurimit kërkon ndalimin e luftimeve në Gaza, duke folur Riyad Mansour, përfaqësuesi palestinez në Këshillin e Sigurimit.
Rritja e numrit të viktimave civile
Në gati gjashtë muajt e misionit ushtarak masiv izraelit në Rripin e Gazës, pas sulmit terrorist të Hamasit, sipas të dhënave palestineze u vranë më shumë se 33.000 vetë. Në të gjithë botën kjo ka çuar në pakënaqësi, e kjo bëri që edhe toni në qeverinë amerikane të ndryshojë. Në një bisedë me televizionin amerikan, CBS, zëvendëspresidentja, Kamala Harris, theksoi, se nuk duhet ngatërruar qeveria izraelite me popullin izraelit. Freilich është i shqetësuar. “Nëse Netanjahu nuk e ndryshon shpejt qëndrimin e tij, nëse nuk kemi shpejt një qeveri të re, kjo do të ketë efekte afatgjata.”
Për njohësit e marrëdhënieve amerikano-izraelite koha e ndryshimit ka ardhur. “Kemi të bëjmë me një proces shumë të ngadaltë, në të cilin SHBA largohen nga pozicioni që i japin gjithmonë dritën e gjelbër Izraelit, edhe dritën e verdhë, dhe së fundmi të portokalltë”, kritikon Ian Lustick, ekspert i Izraelit, dhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Pensilvanisë, në bisedë me Deutsche Wellen. Me dritën e portokalltë, Lusick ka parasysh abstenimin e SHBA në Këshillin e Sigurimit në mars të këtij viti, kur u miratua një rezolutë që kërkon armëpushim të përkohshëm. Përpjekjet e mëparshme dështuan, por kjo rezolutë u miratua për shkak të abstenimit. Në shenjë proteste, kryeministri izraelit, Netanjahu e anuloi një udhëtim të delegacionit izraelit në SHBA.
Në të njëjtën kohë qeveria Biden që nga 7 tetori ka miratuar më shumë 100 shitje të materialeve ushtarake për Izraelin, sipas “Washington Post”. Këtu llogariten edhe bomba 900 kilogramëshe që mund të shuajnë lagje të tëra. “Jam i habitur, se sa ngadalë po e jep sinjalin e kuq qeveria”, thotë Lustick. Ai e shikon këtë si rrezik edhe për interesat amerikane në pjesë të tjera të botës, por edhe për vetë Biden në këtë vit zgjedhor në SHBA. Në Miçigan për shembull jetojnë shumë votues me origjinë arabe, në parazgjedhjet më 13 shkurt, 13% e votuesve demokratë më mirë e lanë fletën bosh, se të votonin për Biden.
Marrëdhënie e tensionuar
Prej vitesh Izraeli po ndjek një politikë gjithnjë e më të djathtë. Ekstremistët fetarë kanë fituar influencë politike sidomos në qeveritë e drejtuara nga Netanjahu. Përpjekjet e vazhdueshme izraelite për të normalizuar pushtimin dhe forcuar kontrollin mbi palestinezët po e përplasin Izraelin gjithnjë e më shumë me shtetet demokratike.
Qeveria amerikane po e kritikon gjithnjë e më shumë numrin e lartë të viktimave civile në Rripin e Gazës. Ajo kërkon që të vlejë “e njëjta masë e lirisë, shanseve dhe demokracisë” si për izraelitët edhe për palestinezët. Por zgjerimi i pushtimit izraelit e minon këtë vizion. Edhe ndryshimi i opinionit publik në SHBA në lidhje me Izraelin, mund të çojë aty, që marrëdhëniet Izrael-SHBA të kenë një korrigjim të kursit. Sipas sondazheve ka një hendek në rritje mes votuesve më të mëdhenj në moshë dhe të rinjve. Më të vjetrit kujtojnë ditët e një Izraeli që nënshkroi Marrëveshjen e Oslos, kur dukej e hapur rruga për zgjidhjen me dy shtete. Por të rinjtë njohin një Izrael që përdor avantazhin e njëanshëm ushtarak që ka për të penguar një zgjidhje politike me palestinezët.
Po ashtu edhe një numër i madh hebrenjsh amerikanë e kuptojnë veten si njerëz të hapur dhe liberal, dhe ndjehen të huaj me një Izrael që sipas tyre po lëviz në një drejtim tjetër. Kjo krisje në marrëdhëniet e hebrenjeve në SHBA nuk është vetëm kulturore, ajo ka pasoja edhe për sigurinë kombëtare. “Në plan afatgjatë, vlerat që përfaqëson brezi i ri amerikan në SHBA do të dalin gjithnjë e më në pah. Izraeli do të përplaset me këtë gjithnjë e më shumë dhe politikanët amerikanë do të kuptojnë, se ajo që funksiononte para 25 vjetësh, sot shkakton probleme, nëse përpiqen të dëgjojnë AIPAC”, thekson Lustick.
William Glucroft
DW