Tahiri: Luftë kundër organizatorëve dhe financuesve të trafikut e drogës
Patrullim intensiv të kufirit dhe të rrugëve që çojnë në kufi. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri thotë se jemi në një fazë të re, hallka e dytë e këtij aktiviteti të paligjshëm: Luftë kundër të gjithë atyre që organizojnë apo financojnë trafikun e drogës.
Për këtë qëllim ministri Tahiri propozon dhe ndryshime të reja në Kodin Penal, për kultivimin e paligjshëm të kanabisit dhe armëmbajtjes pa leje.
“Ashpërsimi i dënimeve në Kodin Penal duhet të sjellë dhe të sjellë pritshmëritë mbi efektet që do të ketë në këtë betejë”- deklaroi Tahiri.
Ndryshimet e Kodit Penal
Kultivon drogë, e trafikon apo e shpërndan, dënimi me burg do të jetë më i ashpër. Ministri Tahiri bëri të ditur sot se po bën gati një propozim për Qeverinë ku kërkon ashpërsimin e Kodit Penal për çdo person të përfshirë në trafikun apo prodhimin e lëndëve narkotike.
“Do i propozoj qeverisë ndryshimin e Kodit Penal me qëllim përshkallizimin e arsyeshëm dhe rëndimin e dënimeve për trafikimin, mbajtjen e kultivimin e lëndëve narkotike. Do propozoj që mbajtja e paligjshme, trafikimi të përshkallëzohet sipas përgjegjësisë së autorit. Faji më i madh, përgjegjësia më e madhe. Konsumi dhe mbajtja e sasive që konsiderohen për konsum vetjak do vijojë të jetë jo vepër penale, por shitja, e tregtia 1 deri në 5 vjet burg për sasi të vogla, e 7 deri në 10 vjet burg në sasi më të mëdha. E njëjta gjë do të vlejë edhe për kultivimin e bimëve narkotike. Kultivimi në sasi të vogla të dënohet me 1 vit burg; kultivimi në sasi jo të vogla nga 1-3 vjet; ndërsa ai në sasi të mëdha, nga 5-10 vjet. Besoj se kjo gjë do të sjellë rezultate parandaluese për të gjithë ata që konsumojnë këtë vepër penale. Do të propozoj që edhe në Ligjin Antimafia të përcaktohet një hetim shtesë. Përshkallëzimi dhe ashpërsimi i dënimit do të çojë në një luftë më efektive ndaj të gjithë zinxhirit të paligjshmërisë në raport me lëndën narkotike në vendin tonë”- tha Tahiri.
Propozimet:
Mbajtja e paligjshme tregtimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike të përshkallëzohet sipas përgjegjësi: Faji më i madh përgjegjësia më e madhe.
-Konsumi dhe mbajtja e sasive që me ligj konsiderohet vetja do jetë jo vepër penale.
-Blerja dhënia e mbajtja e sasive që konsiderohen mbi përdorin vetjak dënohen nga 1- 5
vjet
-Kur kryhet në sasi të mëdha do dënohet nga 7- 10 jet
-Për kultivim të kanabisit në sasi të mëdha të dënohet 5- 10 vjet
-Në ligjin antimafia të përcaktohet hetim pasuruor për të gjitha rastet e kultivimit të madh të kanabisit
Beteja nga toka dhe ajri
Me daljen e sotme, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i shpalli luftë të gjithë atyre që organizojnë dhe financojnë trafikun e lëndëve narkotike në Shqipëri. Aksionet e fundit në Vlorë, Krujë e Shkodër, për të sekuestruar kanabis të tharë gati për shitje, Tahiri i cilëson fazën e dytë të aksionit policor pas atij për shkatërrimin e kanabisit në parcela.
“Të goditen të gjithë ata që qendrojnë në kultivimin e lëndëve narkotike! Në njërën anë është bërë punë për shkatërrimin e parcelave dhe luftë ndaj trafikimit. Kemi një plan të veçante operacional për të parandaluar, kontrolluar dhe luftuar çdo përpjekje, për të trafikuar lëndë narkotike veçanërisht nga deti, që është mjedis shumë nxitës për të trafikuar lëndë narkotike. Forcat operacionale, ato të kufirit do të jenë 24 orë të angazhuara në patrullimin intensiv të kufirit, rrugët që të çojnë në kufi. Luftë kundër atyre që organizojnë apo financojnë trafikimin e lëndëve narkotike qoftë në rrugë tokësore, qoftë në rrugë detare”,- tha ai.
Bashkëpunimi
Kreu i Ministrisë së Brendshme kërkoi bashkëpunimin e partnerëve italianë dhe atyre grekë për të forcuar kontrollin dhe për të asistuar Shqipërinë në këtë luftë.
“Për të tretin vit radhazi shkatërruam 99% të parcelave të identifikuara, nuk është gjithçka ndaj po punohet për hallkën e dytë që është grumbullimi dhe transportimi i kanabisit. Aksionet në Krujë Vlorë e Shkodër, në çdo qark duke e konsideruar këtë si fazën më të rëndësishme të këtij zinxhiri paligjshmërie organizimin dhe financimin e atyre që kthenin këtë. Bashkë me partnerët po punojmë intensivisht. Kam kërkuar ngritjen e një zyre të posaçme, bashkëpunimi që të jetë i përditshëm, partnerët italianë e kanë mirëpritur, presim të njëjtën gjë edhe nga kolegët grekë”,- vijoi ai.
vijon…
KOHA JONË SONDAZH

