”Luftë” për kreun e grupit të PD, kundër Alibeajt edhe shokët
Nga: Redjon Shtylla
Përjashtime dhe “kurthe”, kështu nisi 2023 në selinë blu. Përjashtimi i 4-tër deputetëve të tjerë që janë me Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, kjo vetëm me firmë të Enkelejd Alibeajt, pa mbledhje, ka nxitur një “luftë” të re. Enkelejd Alibeaj vendimin e përkthehen me qëndrimin se ai është drejtuesi i partisë pas largimit të Lulzim Bashës.
Deputeti Ervin Salianji dhe deputetë të tjerë që janë me Berishën, nuk po qëndrojnë në heshtje pasi po punojnë që të shkarkojnë Alibeajn si kryetar grupi në Kuvend. Janë mbledhur edhe firmat, por Alibeaj e prishi këtë plan. Me përjashtimin e Oerd Bylykbashit, Tritan Shehut, Agron Shehajt dhe Belind Këlliçin, numrat lëvizën. Salianji kishte siguruar firmat e nevojshme, por pas vendimi i Alibeajt i dogji skenarin, atij i duhen edhe 4-5 firma të tjera që e ka të vështirë t’i sigurojë.
Me një dalje publike nga Kryesia e Kuvendit, Ferdinand Xhaferraj, e cilësoi si maskaradë. Belind Këlliçi është i sigurt se Enkelejd Alibeaj nuk do të jetë më kreu i grupit parlamentar demokrat. Ai tregon se ka votuar për Ervin Salianjin, dhe beson se ai do të jetë kreu i ri i grupit parlamentar të PD-së. Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashki reagoi shkurt. ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur u mblodh me veten dhe vendosi që ushtria të marshojë”.
Ajo që e bën vendimin e përjashtuar shumë të diskutuar është edhe deklarata shumë e fortë nga Jorida Tabaku. Ajo pohon se nuk është thirrur në mbledhje të grupit Parlamentar dhe as nuk ka ndonjë dijeni për proces shkarkimi të katër deputetëve. Tabaku nënvizoi edhe partia në të cilën ajo bën pjesë nuk duhej të arrinte në këtë pikë.
Vendimi pa mbledhje nga ana e Alibeajt, e thellon edhe më shumë përçarjen, në një kohë që zgjedhjet lokale po afrojnë, dhe PD-ja duhet të fitojë më shumë bashki. Ka nisur një luftë e fortë brenda PD-së se kush do e mbajë grupin parlamentar. Sali Berisha po lobon fort që të jetë në krye Salianjin, ndërkohë që Alibeaj duket se nga ana tjetër po lufton që të mos realizohet një skenar i tillë. Ditë të vështira e presin PD-në, ose në përçarje të fortë, ose në një bashkim që shpëton partinë.