Lul Basha, Samir Mane, Shefqet Kastrati, buxheti i shtetit dhe SPAK-u!
Nga Daniel Muçaku-
Dje për herë të parë qëkur u bë politikan Lulzim Basha sulmoi egër në parlament Samir Manen dhe Shefqet Kastratin.
Të dy janë sipërmarrës shumë të rëndësishëm ose me saktë dy më të mëdhenjtë e botës së biznesit shqiptar. Natyrisht që një biznesmen del në botën ekonomike për të fituar, pra shtuar pasuritë e tij apo të grupit me të cilin punon si ortakeri. E kësisoj për të rritur fitimet ai (ose ajo) punëson njerëz, pra punonjës. Çdo punonjës është një qytetar Republike që i hiqet shtetit nga lista e mundshme për asistencë sociale. Pra sa me shumë të punësuar në sektorin privat, aq me mirë ecin bizneset dhe ekonomia e shtetit shqiptar.
Sipas statikës në tatime dhe në Sigurimet Shoqerore Samir Mane, që siç quhet ndryshe “miliarderi shqiptar” ka të punësuar 6001 punonjës në krejt shtetin shqiptar. Diku te 24 mijë apo me shumë qytetarë shqiptarë ushqehen, nëse mund të shprehemi kështu, nga Samir Mane.
Edhe sipërmarrësi tjetër Shefqet Kastrati ka të punësuar në të gjitha kompanitë e tij 1503 punonjës me sigurime shoqerore.
Këto janë të dhënat e deritanishme nga Sigurimet Shoqerore dhe Tatimet e Republikës.
Natyrisht që sejcila apo sejcili punon me aftësitë e tij ndaj paguhet, por në thelb mbetet që sipërmarrësi ofron punë dhe merr të punësuar, çka duke ndjekur zinxhirin e logjikës financiare, sa më shumë të tillë sipërmarrës të kemi aq me mirë për një vend që aspiron të futet në BE.
Por akuza e djeshme e kryetarit aktual të PD-së Lulzim Basha ka nevojë për investigim serioz.
Shumë mirë që njëherë e ngriti zërin Basha në parlament për biznesin, por duhet parë nëse e kishte si shqetsim politik të një opozite të shkatërruar e në dekompozim, vetëm prej tij, apo zoti Basha kishte halle të tjera ku analiza e gazetarit të njohur Arian Çani ishte serioze, ndonëse me nota ironie brenda. Pak a shumë Çani theksoi se Lul Basha nuk ka marrë kestin e radhës nga emrat që përmendi, pra nëse është kështu kauza e akuzës së Bashës bie dhe ka nevojë që SPAK-u të hetojë seriozisht në këtë dosje publike të hapur nga kryetari i PD-së, që nëse është siç perifrazon Arian Çani, të dyja palët duhet të shkojnë para drejtësisë.
Informacione të tjera nga kampi lulbashian tregojnë se kryetari i selisë blu në betejën me ish-lideri Berisha sulmoi dje dy emrat pasi të dy po ndihmojnë Sali Berishën në rikthimin e tij në krye të PD-së, pra për të larguar Lul Bashën si kryetar. Nëse është ky variant Lulzim Basha duhet ta thoshte hapur në parlament e jo ti binte rrotull “nga Kina”, pasi kjo nuk mund të quhet shkelje ligjore nga dy sipërmarrësit, por nga ana morale politike do të denigronte disi Berishën.
Një variant që mundohen ta nxjerrin nga vetë selia e PD-së, njerëzit e Bashës, thuhet se këtë ia kërkuan amerikanët, Lulit. Por nuk duket se ka baza reale, por sajohet për ti shtuar kuotat kryetarit të PD-së se gjoja ka pas vetes amerikanët në çdo gjë që thotë shefi i selisë blu.
Po kështu thuhet në nivele të larta se kjo ishte lojë fine e kryeministrit Rama, që siç flet pothuaj çdo natë me videocall me Lul Bashën, kurse ditën bëjnë sikur zihen apo shahen; pra të ketë synuar të shigjetojë dy të sipërpermendurit, por me dorën e Lulit.
Pak ditë me parë u arrestua Thoma Gëllçi, ish-drejtor i përgjithshëm i RTSH, i ardhur direkt nga SHBA për tu bërë drejtor nga Edi Rama. Dhe u bë drejtor, siç edhe u arrestua si ish-drejtor. Mundet “bomba” e Lulit u bë edhe për të spostuar vëmendjen nga lirimi i mundshëm këto ditë i Thoma Gëllçit, që sikurse pohoi gazetari analist Mentor Kikia ai ka bërë shkelje administrative e jo penale.
Sipas stilit shqiptar “çudia me e madhe zgjat tre ditë”, pasi plasin “bomba” të tjera dhe harrohen të mëparshmet.
Mundet të jetë keqpërdorim nga Rama i Lulit, kur dihet se kreu aktual në selinë blu ndodhet para një stuhie të fortë nga Berisha e ku gjasat duken se ish-lideri i PD-së do t’ja marrë partinë që ia dhuroi në vitin 2013.
Akuza e Lul Bashës për evasion fiskal nga Kastrati ka nevojë të formulohet juridikisht dhe të shkojë në Prokurorinë e Tiranës. Me pas mbetet të shikojmë drejtësinë si vepron për ti shkuar deri në fund akuzës, por dhe për akuzatorin nëse ka mashtruar apo se nuk i ka shkuar “kesti mujor”, siç tha Arian Çani!
E mira është që SPAK-u të hetojë pse protesta e kuksianëve dhe e opozitës të Rruga e Kombit për taksën e vendosur nga Kastrati, pasi PD-ja dogji disa prona të kompanisë private, u shua mënjëherë.
A ka patur ndonjë çantë drejt selisë blu ato ditë?!
Sikurse duhet parë me kujdes, nëse duam të pastrojmë politikën që na dikton fatet e vendit, pse u shua protesta te Unaza e re, kur lideri opozitar Basha deklaronte se “vetëm nëse kalojnë mbi trupat tanë do të mund ti shembë ndertesat kryeministri Rama”. Dhe sapo u dha një leje ndërtimi në opozitë, protesta u la në dorën e policëve të qeverisë!
Po kështu pse u la nga PD protesta e artistëve të Teatri Kombëtar ndërkohë që lidershipi opozitar bëri sikur po përplasej me pushtetin dhe për dreq pas dy muajve u dhanë një koncension një njeriu të rëndësishëm të opozitës dhe një leje ndërtimi tip grataçiele, një oligarku të afërt të selisë blu?!
Prokuroria duhet të hetojë për të dy sipërmarrësit e akuzuar nëse kanë marrë para nga fondet publike, pra tenderime, etj. Nëse po sa dhe si janë përdorur.
Po që se Samir Mane ka marrë para nga buxheti i shtetit me filialet e tij si sipërmarrës le të shkojë para drejtësisë.
Por nëse akuzat janë gjoba, siç e tha nëpër dhëmbë kryeministri, atëhere Lul Basha duhet të ik vetë nga drejtimi i opozitës përpara se ti shkojnë te selia blu “dy musketierët demokratë” Edi Paloka e Flamur Noka.
KOHA JONË SONDAZH

