Lulzim Basha: Arrestimi i Tahirit vërtetoi drejtësinë e kauzës tonë. Ky është vetëm fillimi!
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me demokratët e degës numër 6 në kryeqytet ka thënë se PD është parti vlerash dhe që mendon për qytetarët.
Ai ka theksuar se nën sundimin e Edi Ramës, Shqipëria ka njohur lulëzimin e krimit dhe rrënimin e ekonomisë. Basha thekson se PD ka denoncuar e para korrupsionin e ish-ministrit Saimir Tahiri, e kjo sipas Bashës vërteton drejtësinë e kauzave të tyre.
“Ajo që ka ndodhur në këto 8 vite sundimi të Edi Ramës, është vrasja graduale e shpresës. Ky është krimi më i madh i klikës së tij, ky është krimi më i madh mbi shqiptarët, familjet dhe fëmijët e tyre.
Ne këtu jemi një grupim vlerash, ne jemi këtu një grupim besimesh, ne jemi këtu një grupim idealesh, ne jemi këtu një grupim parimesh që quhet Partia Demokratike e Shqipërisë. Nuk ka dy, ka vetëm një Parti Demokratike të Shqipërisë. Është ajo Parti Demokratike që nuk reshti së denoncuari prej ditës së parë aferat e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm. Njeriut që nga njëra anë shtypte dhe përdhoste kundër ligjit të drejtat e të gjithë shqiptarëve, e në veçanti të demokratëve në Kombinat, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe nga ana tjetër ishte në krye të operacionit të kanabizimit të vendit, një proces që ne e kemi denoncuar prej ditës së parë dhe që i ka sjell të zeza dhe vetëm fatkeqësi vendit dhe familjeve shqiptare dhe prindërve shqiptarë të qindra mijëra bijve të tyre këtu dhe jashtë vendit. E pra, sot jemi bashkë këtu, ndërkohë që Sajmir Tahiri është dënuar dhe ndodhet në qeli. Që vërteton drejtësinë e betejës tonë, drejtësinë e kauzave tona”.
Të njëjtën gjë kemi bërë me inceneratorët, djegësit , që ta përkthejmë shqip, djegësit. Dy ekzistues, Elbasani dhe Fieri, ekzistues në kuptimin që kanë karabinanë, dhe një që as nuk duket fare këtu në Tiranë, që në fakt çfarë djegin? Djegin paratë e shqiptarëve! 430 milionë euro aferë, kemi 5 vite e kusur që e denoncojmë, ditë për ditë, nganjëherë javë me rresht, në konferenca live për shtyp, sepse e dinim që kur vinte ora e lajmeve, do i fusnin gërshërët dhe do ta censuronin.
Kush prej jush këtu beson se Saimir Tahiri mund ta kanabizonte Shqipërinë, pa bekimin, pa dijeninë, pa ndihmën dhe pa përfitimin e Edi Ramës? A ka shqiptar që e beson?
A ka shqiptar që e beson që 430 milionë euro nga taksat e vendit do të shkonin në xhepat e tre anonimëve, dy prej të cilëve janë në kërkim, siç e kemi paralajmëruar para një viti, pa dijeninë e Edi Ramës? Sigurisht që jo!
Por mekanizmi bazë është asgjësuar! Nga kush është asgjësuar? Në radhë të parë, nga ky pra, Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, me Saimir Tahirin, me ish-ministrin tjetër, që është bishti i aferës së inceneratorëve, megjithëse mbiemrin e ka Koka. Dhe me gjithë grupin e ministrave aktual dhe ish ministrave”, tha Basha.