Lulzim Basha president? Gjiknuri: Diversion brenda PD-së, jo eksperimente me figura të dështuara
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri njëherësh dhe drejtues politik i qarkut Elbasan deklaroi në një intervistë për InfoWebTV, se presidenti i ri duhet të jetë një figurë me integritet që të qëndrojë mbi palët dhe të mos ketë plane politike. Po ashtu Gjiknuri hedh poshtë dhe zërat se Basha do të jetë një kandidat i mundshëm për President.
Po afron përfundimi i mandatit të presidentit, a do të kemi një president nga PS apo një emër konsensual apo nga shoqëria civile?
Të jetë një njeri që di të qëndrojë mbi palët, një njeri që nuk ka interesa dhe plane politike, një qytetar me integritet. Mund të jetë ish-politikan, ish-akademik. Ne kemi mundësi ta zgjedhim presidentin tonë me 71 vota, kjo nuk diskutohet. Ne mendojmë që t’i afrojmë qytetarëve shqiptarë një antipod të asaj që pamë te Ilir Meta. Do të thotë një figurë që ka integritet, nuk ka interesa të çastit politike dhe të dijë që të qëndrojë mbi palët dhe ta shikojë misionin e tij si president dhe jo si një njeri që ka misionin e tij politik që çfarë do të bëjë pas ditës që do të ikë nga detyra apo gjatë kohës që jam në detyrë se si do t’i shërbej forcës politike që më ka propozuar. Ne nuk e duam këtë. Jam i bindur që PS do të jetë në gjendje që të afrojë shumë personalitete, qoftë dhe brenda radhëve të sja, nuk flas deputetë aktualë, mund të jenë, por dhe njerëz që kanë kontribute dikur qoftë në PS apo qoftë në institucione të tjera jo partiake apo mund të vijnë nga bota akademike.
Basha është një ndër kandidatët?
Tani kjo e Bashës e ka gjetur përgjigjen. Ka qenë më shumë një diversion brenda PD-së. Ne s’do të bëjmë eksperimente me figura që dështuan me një drejtim të politikës dhe mendojnë se do të gjejnë presidencën për platformë tjetër politike. Ne duam të evitojmë atë që patëm me Ilir Metën i cili mbase me dy mendje apo me gjysmë zemre la drejtimin e LSI, dhe u fut në presidencë duke e kthyer presidencën në një paltformë politike të tijën dhe një instrument për ta përdorur në interes të opozitës. Presidenti duhet të jetë kundërshtar i partive, ai s’duhet të përfshihet fare në politikën e ditës, por të respektojë vetëm Kushtetutën.
(marrë me shkurtime)