Lulzim Basha rikonfirmohet kryetar i PD-së, Gjana: Kanë votuar 41,097 anëtarë
Të dielën u mbajtën zgjedhjet për kreun e ri të PD, që do të vijojë të jetë Lulzim Basha. Ky i fundit konfirmohet si fitues i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike. Ishte kryetari i komisionit zgjedhor i PD-së, Jemin Gjana ai që e ka konfirmuar lajmin për mediat. Gjana tha se janë administruar 76 kutitë e 76 komisioneve të votimit në gjithë vendin. Basha është ndjekur me vota nga Agron Shehaj, ndërsa i fundit në renditje nga numri i votave të siguruara është Fatbardh Kadilli.
“Misioni zgjedhor i PD sapo ka përmbyllur procesverbalin e deklarimit të rezultatit përfundimtar zyrtar. Kemi administruar 76 kuti në të gjithë vendin. Në prani të komisionit janë hapur një e nga një kutitë. Nga procesverbalet, rezulton që në të gjitha rastet komisionerët kanë firmosur dhe përfaqësuesit e kandidatëve në garë që kanë pasur atje në përfaqësim.
Bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në 75 mijë anëtare të PD, kanë votuar 41 mijë anëtarë. Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413, të vlefshme 40 mijë vota, të ndara sipas kandidatëve në garë.
781 anëtarë kanë votuar për Fatbardh Kadillin, 983 për Edith Harxhi, Për Agron Shehaj, 6338 anëtarë, 32 882 anëtarë kanë votuar për Lulzim Basha. Komisioni zgjedhor bazuar në këto të dhëna shpall zyrtarisht fitues të garës Lulzim Bashën”, tha Gjana.