Lulzim Basha: SPAK nuk duhet të ndalet, kush ka abuzuar të dalë para drejtësisë

Lulzim Basha vijon që qëndrimet politike ti mbajë në Facebook. Teksa ka postuar foto nga takimi me demokratët në Berat, Basha thekson se SPAK nuk duhet të ndalet pasi ka ardhur koha që çdokush që ka abuzuar me me besimin e shqiptarëve dhe paratë e tyre të dalë para drejtësisë. ”Një Shqipëri të çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon Afera e Inceneratorëve, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi”,-shkruan Basha.

Postimi i plotë

Një Shqipëri të çliruar nga korrupsioni që kërcënon mirëqenien e familjeve shqiptare, i cili është ulur këmbëkryq në zyrat e qeverisë, siç dëshmon Afera e Inceneratorëve, është prioritet sot i çdo qytetari të këtij vendi. Megjithë sulmet e bëra, jo vetëm nga Edi Rama dhe të korruptuarit e tij, por edhe nga brenda opozitës, koha u dha të drejtë denoncimeve me prova dhe fakte të Partisë Demokratike.

Pavarësisht përpjekjeve për ta delegjitimuar Komisionin Hetimor, madje dhe me votën kundër raportit, që shpallte organizatë kriminale Edi Ramën dhe qeverinë e tij, koha i dha të drejtë se ishte hapi i duhur për t’i dëshmuar qytetarëve dhe Prokurorisë korrupsionin me këtë aferë. Por SPAK nuk duhet të ndalet, por duhet t’i shkojë deri në fund kësaj afere prej 430 milionë eurosh, sepse njeriu që mban bashkë fijet e krimit dhe korrupsionit është Edi Rama. SPAK nuk duhet të hezitojë të cojë para drejtësisë këdo që ka abuzuar me besimin e shqiptarëve me paratë e tyre.

E krahas kësaj është i domosdoshëm vetting-u i politikanëve. Të gjithë pa përjashtim duhet t’i nënshtrohen hetimit pasuror dhe të lidhjeve me krimin. Vetëm kështu para shqiptarëve do të dëshmohet kush është i pastër e kush jo, vetëm kështu i jepet fund baltës dhe shpifjeve me paratë e korrupsionit.

Përballja pakompromis me korrupsionin, partneriteti i padiskutueshëm me aleatët strategjikë të Shqipërisë, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e emigrantëve, kufizimi i mandateve, rritja e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë janë udhërrëfyesi ynë në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë.

Partia Demokratike mund dhe do ta sjellë këtë ndryshim, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese, që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë. Ndryshimi që kemi nisur do të vazhdojë brenda forcës tonë politike, me vendime të vështira dhe të guximshme, është provë e gatishmërisë tonë për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që presin dhe meritojnë!

SHKARKO APP