Lulzim Basha thumbon Ambasadorin Lu: Nuk pres të më tregojë detyrën
Mes Partisë Demokratike dhe Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Donald Lu mosmarrëveshjet dhe kritikat nuk mbahen më sekret. Pas deklarata të ashpra të ish-kryeministrit Sali Berisha, që e cilësoi ambasadën si interprete të interesave të Edi Ramës, selia blu i ka dhënë një tjetër sinjal ambasadorit të SHBA.
Këtë herë është vetë numri një i partisë, Lulzim Basha, ai që i kërkon diplomatit amerikan të mos e mësojë se cila është detyra e një opozite në vend. Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, Basha u pyet nga gazetarët mbi kërkesën e ambasadorit Lu që të mos i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për Vettingun.
Basha dha këtë përgjigje për qëndrimin e ambasadorit: “I lexoni gabim, nëse i citoni duhet t’i citoni…Nuk ka nevojë të mi citosh fare sepse unë nuk pres nga asnjë Ambasador të më tregojë se cila është detyra kushtetuese e PD, e opozitës apo e imja si qytetar. Ambasadorët kanë detyrën e tyre, unë kam detyrën time dhe e kam kryer me ndërgjegje të plotë”, tha Basha.
Një ditë më parë, ambasadori Lu është sulmuar edhe nga Sali Berisha. I ftuar në studion e gazetares Eni Vasili në News 24, Berisha tha se deklarata e ambasadës për protestën e shoqërisë civile ishte njëlloj si të jetë shkruar nga Gramoz Ruçi.
“Njoftim i panevojshëm dhe i gabuar. Të bëhet një ambasadë interprete e Edi Ramës është një gjë e rëndë. Ndodh që PD mbështet një kauzë. Ajo që nuk duhet të ndodhë është që partitë të marrin kauzat e tyre. Protestuesit kanë reaguar dhe shpresoj që ambasada të ketë një reagim për këtë çështje” – tha Berisha që nuk u ndal me kaq. “Ishte një reagim si i shkruar në zyrat e PS-së. Sikur ta kishte shkruar vetë Gramoz Ruçi” – tha ai. I pyetur për marrëdhëniet e përgjithshme të partisë demokratike me ambasadorin Donald Lu dhe kritikat e tij të forta, Berisha tha një ambasador nuk duhet të bëjë guvernatorin. “Nuk jam këtu për të bërë analizën e ambasadave. Gjëja më e rëndësishme e një ambasadori është të tentojë të bëjë guvernatorin. Gjëja më e parë është të mos e mendojë veten më shumë seç është. Vendet e lira janë vende të lira. E kanë të përcaktuar në thelbin e kushtetutes se tyre. Ambasadorët shprehin mendimet e qeverive të tyre. Edhe në momentet më delikate unë nuk jam për një lloj guvernatori. Unë jam që shteti ligjor kurrë nuk ndërtohet sa kohë të ketë ndikime guvernatoriale. Kjo ndodh kur ka një kryeministër pa personalitet dhe të kapur nga të gjitha anët. Rama citon ambasadorët për të shpëtuar nga mëkatet e veta. Unë nuk kam pranuar në asnjë mënyrë të diktohem. Ai është mekatar. Ai fsheh kanabisin, kokainën, korrupsionin. Si ambasadorë bëjnë vetëm politikën e vendeve të tyre. Si guvernatorë ata bëjnë ç’të duan” – tha Berisha.
Duke ju referuar dhe qëndrimit të sotëm të Bashës, duket se mes selisë së ambasadës në SHBA dhe Partisë Demokratike tensionet kanë dalë në sipërfaqe.