Lulzim Basha:Ramush Haradinaj “Nderi i Qarkut të Tiranës”
7 vjet Pavarësi e Kosovës, Basha: “Mirënjohje heronjve të kombit, luftëtarëve që sollën lirinë e Kosovës!”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha mori pjesë sot në ceremoninë e dhënies së titullit “Nderi i Qarkut të Tiranës” zotit Ramush Haradinaj, ish -komandant i UÇK-së, Kryetarë i Aleancës për Ardhmërinë Kosovës me motivacionin “Luftëtar dhe strateg i shquar për lirinë e Kosovës. Burrë shteti e politikan vizionar, figurë e shquar mbarë shqiptare dhe dishepull i bashkimit kombëtar. Lider me kontribut të spikatur në ndërtimin e Kosovës demokratike e të integruar në strukturat euroatlantike”.
Zoti Basha ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e zotit Haradinaj në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
“I nderuar miku ynë, Nderi i Qarkut të Tiranës, simbol i luftës dhe përpjekjeve të kosovarëve dhe të gjithë shqiptarëve për liri, pavarësi dhe dinjitet. Gjeneral, politikan, lider Ramush Haradinaj është kënaqësi e madhe personale t’ju mirëpres në Tiranë e t’ju uroj për këtë nder që Qarku i Tiranës ka vendosur t’ju japë me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Të nderuar miq, në këtë 7 -vjetor reflektimi i gjithsecilit prej nesh për ditën e sotme, për të mirat materiale dhe jo materialë që shqiptarët këtej e andej kufirit që po bëhet gjithmonë më simbolik, gëzojnë, është i domosdoshëm. Është i domosdoshëm sepse sa më shumë kalon koha, aq të mirëqëna merren liria, liria si vlera themelore që e ndan njeriun nga skllavi. Liria si brenga ekzistenciale që e ndan planifikimin për mbijetesë nga dinjiteti njerëzorë, kombëtarë dhe europian i shqiptarëve. Liria si mundësi zgjedhjeje për gjithçka, për të menduar ashtu siç duam, për të menduar ashtu siç duam, për të vendosur ashtu siç duam e me ata që duam për më të mirën tonë e të familjeve tona. E mirëqenë për qindra e mijëra të rinj të Kosovës e të Shqipërisë është e kështu qoftë gjithmonë liria. Por kurrë nuk do të harrojmë së ky është një realitet i ri, se 7-të e akoma më shumë, 15-të vjet përpara ndryshe ndjeheshin shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri e kudo ku jetonin, si një komb gjysëm i lirë, si një komb gjysëm i robëruar pra si një komb i robëruar, i pasigurt për të nesërmen, plot me breng në zemrën, vatrën, fjalën e çdo familjeje, në çdo muzg e çdo mëngjes. Nën thundër i poshtëruar, i shkelur pa perspektivë e në rrezikun konsistent e të vazhdueshëm, të asgjësimit, spastrimit etnik.
Kjo përmbysje e madhe nuk ra nga qielli. Njerëzit që e bënë janë heronjtë tanë. Sot nderuam shumë prej tyre, që fatkeqësisht nuk i kemi më mes nesh, heronj të Luftës Çlirimtare të Kosovës, heronj të Kombit, heronj të luftës së fundit çlirimtare të Europës.
Po fati ynë është i madh, krenaria jonë e pamatshme me fjalë dhe mirënjohja e thellë sa tabanët e ekzistencës tonë, për një nga heronjtë e gjallë që kemi mes nesh, komandantin, strategun, gjeneralin, liderin Ramush Haradinaj.
Sa e vështirë të gjykojmë sot në rrethanat kur të gjithë kemi përgjegjësitë tona të përditshme, të përjavshme, të përmuajshme, të përvitshme, të cilat domosdoshmërish në një shoqëri të lirë e të hapur na çojnë edhe në debate të natyrshme para dhe pas zgjedhjeve. Debate të natyrës politike apo të çfarëdo natyre tjetër, për përgjegjësitë që kemi dhe për të nesërmen edhe për të sotmen edhe për të nesërmen e qytetarëve tanë. Sa e vështirë është të kujtojmë se në Kosovë ka heronj të gjallë, njerëz që sot me peshën e përgjegjësisë që ju ngarkon shoqëria, nevojat, vizioni i qytetarëve të Kosovës, bëjnë gjithçka për të çuar përpara, për të ecur në rrugën e përparimit, mirëqenies, krijimit të vendeve të punës, perspektivave dhe ëndrrave të qytetarëve të tyre por që në fakt janë ata njerëz përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë, shtyllat e vërteta të lirisë e pavarësisë së Kosovës. Të paktë janë sepse heroizmi në kushtet e luftës së pabarabartë i shpërbleu në shumë raste, në shumicën e rasteve, me marrjen e jetës së tyre, me dhënien, flijimin në altarin e lirisë. Po këta të paktë që kemi mes nesh e me të cilët jemi mësuar të flasim si me politikanët, kryetarët e partive, njerëzit e vendimmarrjeve të përditshme, nuk duhet të harrojmë se në thelb dhe përgjithmonë ata janë mbi të gjitha heronjtë, krenaria jonë. Ndaj sot, jam shumë i lumtur që për të njohur këtë realitet dhe për ta ngrejtur në piedestalin e nderimit jo vetëm të qytetarëve të Bashkisë së Tiranës por qytetarëve të gjithë këtij Qarku, më të madhit të vendit, kemi mundësinë që këtë respekt të jashtëzakonshëm ta japim për njeriun që mobilizoj luftën çlirimtare në 1/3 e Kosovës atë që u godit rëndë dhe vazhdueshëm, rrafshin e Dukagjinit, komandantin e zonës operative të Dukagjinit, strategun e përballjes, komandant Ramush Haradinaj. Për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kësaj force politike të re, me vizion, e cila vendosmërisht shpalli mbi altarin e vlerave të luftës platformën e saj për zhvillimin e Kosovës. Për njeriun i cili fitoj jo për emrin e tij as për emrin e familjes legjendare të Haradinajve por për emrin e mbarë Kosovës e mbarë kombit Shqiptarë, betejën me përpjekjen për të njollosur luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Nderim dhe respekt nga unë personalisht, nga Bashkia e Tiranës nga forca ime politike, jam i sigurt nga të gjitha forcat politike, disa nga përfaqësuesit i shoh këtu dhe i përshëndes për praninë domethënëse në këtë sallë. Nderim dhe respekt për ju dhe falënderimet e mia për Qarkun e Tiranës, për ju zoti kryetarë, për këtë gjest domethënës në këtë javë domethënëse për Kosovën, për Shqipërinë dhe për kombin tonë”.