Lumturimi i tepruar i një zhgënjimi që vjen nga Stokholmi
Nga Albert Vataj-
Ismail Kadare, sërish mbeti një kandidat pa kuorumin e domosdoshëm për t’i dhuruar shqiptarisë edhe një Nobel, pas atij të Paqes nga Nënë Tereza (1979) dhe atij për Mjekësi nga Ferid Murati (1998). A do ta donim një çmim edhe në Letërsi, jo se shquhemi si lexues të mëdhenj dhe admirues të njerëzve të dijes, por do ta ledhatonte goxha sedrën tonë nacionale.
Megjithatë, edhe humbjet si mortet, kemi mësuar t’i bëjmë ballë, për të mbetur duarlarë si Pilati në këtë disfatë, e cila tamam-tamam nuk është për Ismail Kadarenë, sa ç’është për një logjikë
gjeopolitike dhe jo vetëm, kësisoj, aspak letrare, që udhëprin Akademinë Suedeze të Shkencave dhe Fondacionit Nobel për akordimin e lauratëve.
Në orët që shoqëruan, se Çmimi “Nobel” në letërsi për këtë vit i është dhënë autores 82-vjeçare, franceze Annie Ernaux, për "guximin dhe mprehtësinë klinike, me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale", në mediet sociale shqipshkruese, një shi toksik e njomi djerrinën ku çapitet sekush të ngre kultin e tij të narcizit. Edhe këtë vit, Kadare nuk fitoi, sikundër edhe gjuhët e helmëta nuk ndaluan së spërkaturi me hidhësi dhe negativitet, gjëmë e fshikull xhelati, e denjë për kryemizorin e Rajhut të Tretë.
Lexues dhe jolexues, u lëshuan si hijenat në ngordhësirë, çdonjëri për të matur se sa përçmim e zemëratë, trazim e përçudnim, kemi për të mëtuar, si një aprovim i njëzëshëm për këtë disfatë të paralajmëruar për shkrimtarin tonë. Një gjuhë urrejtje e ndezur në një vërshim të teptisur llave që teposhtet për të ngopur orekset tona të babëzitura për negativitet. Pati shije balte, gjithë ai solemnitet dhe ajo servirje, që shtron sofrat e një lumturimi të hidhur që ndërseu këto taborrë në shpirtje trazimtare.
E sigurt se gëzimi nuk do te ishte më i shqerosur me lakmim e ndjellje, se sa u prit ndër shqiptar moslaurimin me Nobel në letërsi edhe këtë vit i shkrimtarit tonë, Ismail Kadare.
Ky zell për të fërkuar diart në këtë mospranim, aq sa për të ndezur zjarr, nuk e ka yshtur terratisja, me të cilën e kanë qëlluar shkrimtarin që i thuri ditirambe diktaturës, as fyrja që u bëri shqiptarëve që guxuan të ndiqnin ëndrrat, duke i’u kundërvënë diktaturës agonike me eksod, as gjynahet e tjera, linçimi i Fishtës, etj., etj. Është një urrejtje patologjike qe ushqehet kësisoj, ndër ne, ajo që shndërrohet në një baltëhedhje dhe yrysh kryekëputur.
Nuk është vendi, e aq më pak të jem unë personi që merr përsipër të bëjë gjykimin, e cilësive të Kadaresë si shkrimtar, por duhet biem në një gjithëdakordësi, se Ismail Kadare është shkrimtari ynë me i përkthyer dhe më i lexuar në botë. Duam s'duam ne, ai është nga të pakte emra, me të cilët bota e madhe na njeh si komb. Krijimtaria e tij ka shërbyer si një shpalim i identitetit tonë historik
dhe nacional. Këto janë fakte, edhe të tjera gjithashtu ka plot që e ngren lart, aq sa kandidimi i tij i kahershëm të rrëmbente zemrat e ftohta atje në Stokholm.
Personalisht s'pata keqardhje, se Kadare nuk u laurua me Nobel në Letërsi as këtë vit. Sepse kurrë nuk e kam ushqyer këtë iluzion. Por nuk mund ta fsheh një parehati që më krijoi balta që u gatua dhe u hidh mbi të, edhe këtij tetori pritjeje te pashpresë.
E mira e mori!
Se në fund të fundit, vetëm mirë do ti bënte Shqipërisë, letërsisë sonë të vogël, ky çmim prestigjioz. E sigurt nëse Kadare do të ishte fitues, ata që shpërndajnë sot frymë toksike, minimumi do të heshtnin, të tjerët, prej tyre, do të përfshiheshin në orgjinë e dëlirit të triumfit, dhe për këtë kemi dhënë prova.
Kadare, për një lexues, dhe leximin e duam gjithnjë e më pak, madje edhe ata që janë rreshtuar në skalionin e baltëhedhësve, do të jetë sërish ai, i pranuari dhe i vlerësuari, siç do të mbetet arseja për ta urryer.
Nobeli, vetëm se do te joshte botuesin e Kadares për një stinë të begatë përfitimesh, dhe vetë shkrimtarin do ta ngrohte në këtë dimër te acarte pleqërie. “Shqiptarët më duan të vdekur”, që të mbushin zgafellen e urrejtjes qe i përpin, ka thënë ai diku. Por pa merak, e sigurt, Kadarenë nuk e ka aq me qejf as Zoti, që ta lërë të gjallë, kur ne e duan të vdekur. Një ditë ai do të shuhet, por të gjallët e këtij mllefi, me të cilin ushqehemi, nuk do të mund ti vihet pas atij në ikje, atij qe qenka aq i keq, sa të mos e meritojë të na bëjë krenar.
Albert Vataj