Macron pret Ramën në Paris: Franca mbështet rrugëtimin europian të Shqipërisë
Presidenti francez Emanuel Macron dhe kryeministri Edi Rama kanë dalë në konferencë të përbashkët për mediat në Paris, pas një pritje të veçantë me ceremoni ushtarake që u bë për kreun e qeverisë shqiptare.
Macron tha se Parisi është impresionuar nga reformat që janë ndërmarrë nga Shqipëria. Ai shtoi se Franca mbështet rrugëtimin europian të Tiranës.
”Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës janë forcuar. Franca është angazhuar për rrugën europiane të Shqipërisë dhe më gjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi bërë bashkë, kundër kërcënimeve të përbashkëta. Shqipëria ka vijuar rrugën europiane me vendosmëri. Ju mund të kemi besim. Jemi të impresionuar nga reformat e ndërmarra në Shqipëri. Dua të përshëndes fjalën e Shqipërisë në OKB. Tirana ka dhënë mbështetje për Ukrainën, kjo është tjetër mbështetje për Kievin”, u shpreh Macron.
Shefi i Élysée-së deklaroi se Franca është e impresionuar nga ecuria e reformave në Shqipëri. Macron përgëzoi homologun e tij për zërin që Shqipëria ka pasur deri më sot në rajon, në çështjet e Kosovës, por edhe në arenën ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama foli për valë të re afrimi mes vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Europian ku në tavolinë tashmë, siç u shpreh kryeministri, ndodhet një proces integrimi, përtej rrugëve burokratike. Dhe për këtë, ai meritën ia atribuoi qasjes të mbajtur nga presidenti francez.