Majko: Ne të inxhinierisë s’jemi si të arteve që bëjnë vetëm ciu-ciu

Planet politike për 2015, Majko: “Dhe nëse kam një gjë që mund ta them tani se ç’do bëj në 2015, është që unë do të vazhdoj t’i shërbej atij komuniteti të madh njerëzish që quhen socialistë. Por sigurisht që Shqipëria nuk përbëhet vetëm nga socialistë”.

Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko nuk përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme vendore të jetë kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës. Në një intervistë për emisionin “E diellë”, Majko nuk ka pranuar t’i përgjigjet direkt pyetjes se cili do të ishte angazhimi apo plani i tij politik i 2015-ës, duke u shprehur se hapat e ardhshëm, një politikan nuk i tregon.

Duke lënë kështu të paqartë nëse do të ishte ai, ashtu siç edhe është folur në media këto kohë, kandidati i PS-së dhe gjithë koalicionit të majtë për Tiranën. “Ke njohur ndonjë politikan që ka folur me sinqeritet se ç’do bëjë pas një viti? Mendoj se gjëja më e natyrshme që mund të them unë tani është që, në gjithë atë që më the, ka pasur një moment në gjithë këtë histori qëkur unë kam hyrë në një zyrë, që ishte zyra që më jepte një emër. Dhe falë kolegëve të mi dhe asaj që quhet PS, unë sot e kam një emër.

Dhe nëse kam një gjë që mund ta them tani se ç’do bëj në 2015, është që unë do të vazhdoj t’i shërbej atij komuniteti të madh njerëzish që quhen socialistë. Por sigurisht që Shqipëria nuk përbëhet vetëm nga socialistë”, – u shpreh Majko, duke preferuar të mos flasë më gjatë për këtë temë. Kujtojmë këtu se Majko ishte një nga tre kandidatët që PS gati dy muaj më parë nisi të testojë në publik nëpërmjet sondazheve telefonike.

Përveç tij, qytetarët u pyetën edhe për emrin e Sajmir Tahirit dhe Mimi Kodhelit. Por ndërsa kjo e fundit ka mohuar që të garojë për pozicionin e kryetarit të kësaj bashkie, dy emrat e tjerë, Majko dhe Tahiri nuk kanë pranuar të flasin për këtë gjë. Çka lë të kuptohet se gara brenda socialistëve për këtë kandidaturë do jetë mes tyre.

Gjatë intervistës së djeshme Majko ka folur edhe për çështjen e shumëdebatuar të hapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Ai ka deklaruar edhe një herë se i mbetet besnik variantit që gati 7 vite më parë ai, në pozicionin e kryetarit të grupit parlamentar socialist, dhe homologu i atëhershëm demokrat, Bamir Topi, paraqitën në Kuvend dhe ku sanksionohej detyrimi që të ngrihej një komision i verifikimit të figurës, i cili do bënte hapjen e dosjeve dhe përmbajtja e tyre do bëhej publike nëse një zyrtar s’do pranonte të jepte dorëheqjen.

“Varianti më i mirë ishte ai që krijohet komisioni, thërritet personi në fjalë që mund të jetë gjykatës apo deputet dhe i thuhet që, në bazë të asaj që përcakton ligji, emri yt ekziston në regjistrin e spiunëve. Tani dy momente ka. Ne nuk të themi ik largohu se këtë s’e lë Kushtetuta. Por ama, nëse ti nuk jep dorëheqjen, atëherë do bëhet publike dosja jote”, – tha Majko.

Sipas tij, një njeri që ka patur të shkuar të errët nuk mund të jetë punonjës i administratës së lartë shtetërore. “Kjo histori duhet të marrë fund në të gjitha institucionet kushtetuese, President, Kuvendi, gjykatat. Duhet të jetë një fashë e madhe e administratës, e cila nuk mund t’i ofrojë shërbime publikut me paratë e taksapaguesve nëse nuk i dihet e kaluara.

Pra, nëse ti je në një post publik, publiku duhet ta njohë të kaluarën tënde”, – u shpreh Majko. Sipas tij, sot për Shqipërinë, për shoqërinë shqiptare, një politikan i korruptuar është qind herë më i keq sesa një spiun i dështuar. Majko ka folur edhe për rolin që ai luajti në lëvizjen studentore në fillim të viteve ‘90, ndërsa nuk la pa thumbuar në këtë rast edhe kreun e sotëm të partisë së tij,

Edi Rama. “Atë natë studentët e inxhinierisë elektrike, që ishte pjesa më vitale, duhet ta them këtë që inxhinierët janë tipa që e kanë mendjen për të lexuar, për të studiuar, por nëse inxhinierët vendosin të zbresin në shesh, nuk janë si këta të arteve që bëjnë ci-ciu. Do thuash ti tani e ke me Ed Ramën, por jo s’e kam me Ed Ramën. Por nëse një inxhinier vendos të merret me politikë, dije se situata është shumë keq”, – deklaroi Majko. Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, ai tha se mes dy vendeve nuk mund të ketë kurrë një miqësi të sinqertë për shkak të plagëve të së shkuarës.

SHKARKO APP