Majko: Pa shqiptarët nuk ka stabilitet të Maqedonisë. Gruevski, problem
Pa shqiptarët nuk mund të ketë stabilitet në shtetin e Maqedonisë. Ky është qëndrimi që ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko ka për situatën e krijuar ditët e fundit në Kumanovë të Maqedonisë, duke theksuar se për këtë shtet nuk ka rrugë tjetër veç trajtimit të shqiptarëve si të barabartë.
Sipas tij, është e pafalshme për qeverinë maqedonase që me mungesën e vullnetit për të respektuar dhe përmbushur plotësisht Marrëveshjen e Ohrit të 2002, ka sjellë këtë klimë mosbesimi të qytetarëve shqiptarë tek institucionet maqedonase.
“Pala maqedonase është ende e paqartë, e papërcaktuar dhe e pavendosur dhe përfundimisht po vjen me një pikëpyetje të madhe lidhur me faktin se nuk po realizon atë që ka vendosur vetë. Një shtet që nuk realizon një marrëveshje ndërkombëtare, të cilën e ka marrë përsipër përballë ndërkombëtarëve në situatat e një konflikti. Kjo është ende në udhëkryq”, – u shpreh Majko gjatë një interviste për mediat.
Ndaj ai vlerëson se për të rikthyer besimin e shqiptarëve tek institucionet shtetërore është e nevojshme sërish që palët të ulen dhe të merren vesh për respektimin e asaj për të cilën kanë rënë dakord disa vite më parë. “Për të realizuar këtë marrëveshje ndërkombëtare, e cila stabilizoi Maqedoninë dhe i krijoi asaj një të ardhme për të jetuar, duhet sërish të ulet për t’i dhënë dritë jeshile një shteti, i cili nuk po kthehet në një problem vetëm për veten e vet dhe për banorët e vet, por po kthehet në problem edhe për fqinjët e vet.
Me vullnet politik të njëanshëm, Marrëveshja e Ohrit është shumë e vështirë për t’u zbatuar”, – shprehet Majko. Më tej ai thekson se një rëndësi të madhe në një situatë të tillë ka dhe klasa politike shqiptare në Maqedoni, e cila sipas tij duhet të lërë konfliktin politik dhe të përfaqësojë më mirë interesat e shqiptarëve në raport me institucionet. “Disa gjëra që varen nga klasa politike duhet t’i bëjë klasa politike.
E rëndësishme është që të mos kopjojnë atë që është pjesa e dobët apo që nuk duhet kopjuar nga politika shqiptare dhe e Kosovës”, – tha Majko. Ai gjithashtu, ndërsa e ka konsideruar kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski, si një problem për vetë maqedonasit, ka theksuar se askush nuk mund t’i përdorë shqiptarët për të justifikuar veprime të tjera. “Gruevski është në radhë të parë problem i maqedonasve.
Askush nuk mund t’i përdorë shqiptarët, t’u vërë një granatë në dorë, t’u heqë spinën, dhe t’u thotë duke buzëqeshur, hidhe, ne po presim. Palë të treta të cilat duan destabilizimin e Maqedonisë, do ta kenë shumë të thjeshtë duke përdorur shqiptarët si arsyetim, pikërisht duke u nisur pikërisht nga kjo që sapo thashë”, – tha Majko.