Majko: Zgjedhje nëse reforma në drejtësi nuk kalon
Ish-kryeministri Pandeli Majko komentoi në emisionin “Studio e Hapur” në “Neës 24” procesin e referendumit në PS. Ai tha se me gjithë problemet tashmë ky kapitull quhet i mbyllur në PS. “Arrij t’i kuptoj ironitë për rezultatin e referendumit. Për mua është një proces demokratik”,- ka thënë Majko për referendumin që mbajti PS më 9 prill për t’i dhënë përgjigje dilemës nëse duhet të kishte zgjedhje për kryetar, rezultat që doli bindshëm kundër zgjedheve dhe pro Ramës. Duke folur për një emër të mundshëm që po projektohet në krye të Partisë Socialiste, Majko tha se si Veliaj ashtu edhe Tahiri janë protagonistë, ndërsa përmes humorit i këshilloi të mos bëjnë gabimet e brezit të dytë, duke iu referuar vetes dhe Metës.
Si e lexuat rezultatin 95% të referendumit?
I thellë shumë është. I mirëkuptoj ata që nga jashtë kanë bërë ironi, por unë nga brenda e shikoj si një proçes demokratik. Ne mbetemi ndër partitë që e ushtrojnë këtë ushtrim demokratik.
Sipas Blushit është vëzhguar vetëm vitrina, Tirana ndërsa në rrethe ka pasur probleme? Si ju duket procesi?
Proces pa probleme vështir se gjen në Shqipëri. Mund të të flas për njësinë 5, ne jemi jashtëzakonisht korrekt.
Keni informacione për procesin në rrethe?
Nuk kam shumë, pas asaj që ndodhi në kongres nuk pritej një rezultat i ndryshëm. Pritej që të kishte një ushtrim demokratik.
Si shpjegohet që demokracinë e kuptoni me 95%?
Është votim brenda një familje, nuk ka ballafaqim. Edhe pala që ishte shprehur në kongres kundër një fryme nuk bëri ndonjë fushatë. Nuk e shoh PS si kulmin e një partie perëndimore edhe ne kemi probleme…Ne mund të kemi probleme të natyrave nga më të veçantat por ne fletë votimi me numër nuk bëjmë. kam parasysh zgjedhjet e fundit..
Jeni pro apo kundër hapjes së kutive të referendumit, pasi Blushi akuzon se procesi u trukua?
Kjo temë me të mirat dhe të këqijat e veta është mbyllur.
A ka Blushi të drejtë?
Blushi kishte të drejtë statutore tashmë është një histori që përsëritet në një kontekst tjetër…
Sipas Blushit procesi është trukuar…?
Dhe pastaj…
Të gjithëve na habit rezultati 95%?…Pse nuk hapen kutitë?
Si sport mund edhe ta diskutojmë…
Jo si sport…?
Kolegu im i tha se ka një komision zgjedhor, atje duhet të ankohet. As hapja as diskutimi nuk më krijon ndonjë ndjesi politike. Ju mendoni se nuk e kam ndjekur Blushin. Një gjë e kanë të gjithë të qartë që kreun e PS nuk e përcakton kreu i LSI dhe anasjelltas. Mbetemi në rrethanat e një ironie.
Nëse nuk do jetë Rama kryetar për 100 arsye, cili do jetë?
Dua të dëgjoj 100 arsyet. Nuk po i shmangem prononcimit por një shpjegimi teorik që nuk na nxjerr asgjëkund.
Ju flisni për zgjedhje të parakohshme…
Nëse situata do të vazhdojë kështu. Ftesa e Ramës për kreun e PD-së, ftesa më me vend që mund të bëhej ndonjëherë, shumë serioze nuk ishte nevoja të ridikulizohej. Mbetet ende në fuqi. Ftesa dhe ulja në tavolinë mbetet e vetmja lëvizje politike që mund të prodhojë politikë.
Ju intereson të flisni për përjashtimin e Blushit nga PS? Servet Pëllumbi ka thënë që tashmë është i përjashtuar..?
Nuk e ka thënë kështu ka folur për një kontekst vetëpërjashtimi, por jo kështu. Nëse mund të konsiderohet një gjysmë përjashtim, është një gjë që e kemi pranuar si një moment delikat që solli krijimin e LSI-së. Ajo nuk ishte një përjashtim, por një shmangie që i vuri një grup kolegësh në një situatë të vështirë. Ku është Blushi i përjashtuar? Në mbledhjen e grupit e kisha në krah.
Ju thoni që të ngrohë karrigen?
Problemi më i madh i tij është që nuk e ngroh karrigen. Është një politikan mjaft vibrant, i mençur, çdo mençuri ka mend të vetë. Do zgjidhja Ramën se për të kam bërë 2 herë fushatë. Nuk përbën çudi.
Blushi partneri juaj politik?
Blushi partneri im?
Ju i dhatë të drejtë për kauzën por ishit me Edi Ramën?
Për pjesën e statutit kishte të drejtë. Ne kishim një boshllëk disa vjeçar të mos funksionimit të statutit dhe ky referendum ishte i nevojshëm edhe për këtë. Ishte për vakumin e shkeljeve statutore.
Ishte i nevojshëm?
Pa diskutim. Për fatin e keq unë nuk e dija që do dilte në media gjithë diskutimit në asamble. Referendumi më delikat në kuptimin e balancës me votat negative se një përballje.
Keni 25 vjet në PS, a është sot PS një parti më demokratike se më parë?
Çfarë prisni nga unë t’ju them se është më demokratike apo diktatoriale. Ne nuk jemi parti perfekte, kemi problemet tona, kemi patur gropat tona në histori. PD e ka shumë të vështirë të ngrihen në nivelin e Blushit për kritikën. Debati i brendshëm në PS është me një konotacion të tillë që e çon në periferi mënyrën e të bërit opozitë të palës tjetër. Më e mira dhe bazuar në historikun e PS është që gjërat të vazhdojnë në mënyrë të ekuilibruar.
Si po e drejton Rama PS?
Perfekt, shkëlqyeshëm, yll! Këtë doje nga unë.
Veliaj dhe Tahiri janë një dyshe e padiskutueshme si unë dhe Meta vite më parë, keni thënë ju në fushatë, por a i shihni si pretendentët për kryetar partie?
Kjo do më hapte probleme… Po ja mund të thosha që këta janë dyshja që do konkurrojnë por çfarë ka ndodhur kemi humbur zgjedhjet apo çfarë? Më duket një diskutim pak i përhapur. Janë dy protagonistë të brezit të tretë të PS, me një lloj humori iu drejtohem në publik, mos përsërisni gabimet tona, të mijat dhe Metës, të brezit të dytë. Ndryshe s’do ishim sot në parti të ndryshme.
Ndoshta Meta është i kënaqur në partinë e tij?
Do të duhej një natë dimri për të diskutuar..
Mendon që është penduar?
Jo, nuk besoj
A po projektohet Veliaj si lider?
Do vijë natyrshëm lideri, po ju them se diskutimi është gjysmë i vdekur pa filluar.
Midis Veliajt e Tahirit jeni gati të zgjidhni?
Për mua të dy janë protagonistë por ka edhe të tjerë. Është edhe një palë protagonistësh të tjerë, po flasim për FRESSH-istat e rinj.
Deklarata juaj se nëse nuk ka zgjidhje për reformën në drejtësi ka zgjedhje…
Deklarata e partnerëve se nëse kjo histori nuk mbyllet brenda majit mund ta shtyjë me vite integrimin e bën edhe më thelbësore.
Dëshiroj të them se reforma në drejtësi ka të bëjë me mënyrën se çfarë raporti do krijojmë me të ardhmen. Kjo punë nuk zgjidhet me historinë e dekriminalizimit. Ne sot na duhet një sistem gjyqësor eficient.
Nëse nuk ka zgjidhej, ju propozoni zgjedhje?
Nëse nuk ndodh Shqipëria hyn në kolaps, politik dhe moral. Në kolaps edhe me Brukselin.
Çfarë zgjidhin zgjedhjet?
Sipas meje nuk mund të shkojmë në parlament vetëm për të marrë rrogat. Nëse nuk do ketë zgjidhje jemi të detyruar të shkojmë në zgjedhje, por kemi një ftesë.
Si mund të ndodh teknikisht?
E mira është të mendojmë skenarin pozitiv. Teknikisht secili mund të hapë Kushtetutën. Mendoj se kjo është një gjë mund të shihet në detajet e veta. Mos pretendoni se mund të them se PS do tërhiqet nga qeveria.
Pyetja ime për të kuptuar se çfarë do ndryshonin zgjedhjet…
Ne kemi sot përballë një kundërshtar që nuk merr vendim. Jemi në pritje të një vendimmarrje nga ana e PD-së. Nuk mund të nxjerrësh detaje, të lësh peng integrimin e Shqipërisë. Po jetojmë një histori që po na rrënon çdo ditë.
Pres një zgjidhje nga dialogu që të votojmë reformën në drejtësi. Do dojë shumë kohë dhe s’mund ta bëjmë të vetëm. Do na duhet të ulemi me palën kundërshtare. Nga ky lloj konteksti, bllokimi është pa sens.
Keni një ide se kush e do dhe kush nuk e do reformën në drejtësi?
Raporti i politikës me reformën në drejtësi është si një person që i është dhënë dënimi me varje dhe i kërkon të bëjë trekëndëshin vetë. Këtë lloj psikike unë e ndiej. I jam mirënjohës kolegëve që janë të panegociueshëm në ecjen në këto principe të reformës në drejtësi. Në grupin parlamentar të PS nuk ka njeri, kriminelë, manipulues e banda. Ky grupi kaq i tmerrshëm nuk del njeri të thotë që s’duam ta bëjmë reformën në drejtësi.
Kjo reformë drejtësi është jashtëzakonisht e rëndësishme. Çfarë sistemi do kapim ne me 60 e ca vota. Kush e thotë këtë është nonsens, fillon nga matematika tek politika.
A ka mosmarrëveshje mes koalicionit?
Jo nuk ka asnjë problem. Infrastruktura është mbyllur dhe kanë mbetur detajet e fundit të përmbylljes së kësaj reforme jetike.
KOHA JONË SONDAZH

