Maliqi i kthehet Ramës: Po sponsorizon krijimin e partive, asnjë manovër nuk të shpëton nga humbja e thellë
Deputeti Lefter Maliqi ka bërë një deklaratë për mediat në ambientet e jashtme të Parlamentit, si reagim kundër rivotimit të Kodit Zgjedhor nga maxhoranca dhe deputetët e rinj të opozitës, konkretisht për rrëzimin e dekretit të Presidentit.
Maliqi shpërtheu në akuza për kryeministrin Rama, duke i numëruar skandalet e keqqeverisjes, por edhe ‘bëmat’ para saj.
Maliqi akuzoi Ramën se po sponsorizon krijimin e partive të vogla me objektivin djathtas, për të vjelur vota nga PD, por e garantoi se asnjë manovër e tij korruptive dhe kriminale, siç u shpreh ai, nuk do e shpëtojë nga humbja e thellë që e pret më 25 Prill.
“Dua t’i them këtij që nuk ka asnjë shans, me gjithë show mediatik që bën në ERTV. Pse duhej të shkonte vetë në Liban për të riatdhesuar shqiptarët nga kampi, ndërkohë që mund ta bënte zëdhënësi i tij. Me ato lekë të Charterit mund të paguante lekët e nënave naftëtare, të cilat janë të ngujuara në grevë urie. Të jenë të sigurtë se ky njeri del forcë e tretë politike. Unë jam me opozitën e bashkuar dhe PD-LSI dhe do të fitojnë bindshëm zgjedhjet. Kryemafiozi i dështuar do dalë gropë me votat e socialistëve”, tha Maliqi.