Maliqi: Krimi i bërë njësh me politikën, Lleshaj nëse është burrë të japë dorëheqjen
Një sërë ngjarjesh kriminale kanë ndodhur ditët e fundit në vend, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri te qytetarët.
Për këtë arsye, deputeti Lefter Maliqi ka kërkuar interpelancë me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, dhe do të zhvillohet më 1 tetor.
I ftuar në ”RTV Ora”, Maliqi tha se realiteti është i hidhur, pasi nuk është Policia e Shtetit e paaftë përballë krimit, por është krimi i bërë njësh me qeverinë.
Lefter Maliqi: ”Duke qenë deputet dhe anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare prej 6 vitesh, ish-drejtues në Policinë e Shtetit, arrij ta njoh situatën e rendit dhe krimnalitetn në detaje, dhe jo më kot javën e kaluar i kam kërkuar interpelancë uregjente ministrit Lleshaj, i cili e ka pranuar më 1 tetor. Unë do pasqyroj një realitet të hidhur për shqiptarët, për t’u bërë të ditur se nuk është Policia e Shtetit e paaftë, por është krimi i bërë njësh me qeverinë, i bërë njësh me drejtuesit politikë të ministrisë së rendit, të cilët kanë marrë peng Policinë e Shtetit, e përdorin psikologjisht dhe i bëjnë presion me vendet e punës.”
Maliqi shprehet se Lleshaj duhet të japë dorëheqjen sepse është i paaftë dhe është përdorur politikisht nga kryeministri Edi Rama.
Lefter Maliqi: ”Nuk kam asgjë personale me Lleshajn. Lleshaj mund të jetë shumë i mirë në fushën e mbrojtjes, por Rama e ka lënë zhveshur, e përdor. Rama emëron kë të dojë, drejtori i përgjithshëm nuk e pyet fare Ministrin e Brendshëm, e ka përdorur politikisht. Unë mendoj që do jetë në burrinë e tij që me 1 tetor të japë dorëheqjen kur të ketë interpelancën me mua. Nëse është malësor dhe burrë sepse është përdorur politikish dhe është i paaftë.”
Sipas Maliqit, 80% të punonjësve të Policisë së Shtetit janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale.
Lefter Maliqi: ”Policia e Shtetit, në dijeninë time, janë 80% janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale, jo vetëm për kushtet e tyre të jeteës dhe pagave minimale, që i kanë as gjysma e policëve të Kosovës apo rajonit, por edhe për shkak të përdorimit dhe dezinforimit që i bëjnë bandave kriminale të fortëve nëpër qarqe, që janë të lidhur me mazhorancën.”