Maliqi: Turi i maturës dhe gomari i diktaturës
Nga Lefter Maliqi
Turi i maturës dhe gomari i diktaturës?….Bashkë me eklipsin dhe solsticin veror duket se po i afrohemi fundit të qershorit, një muaji të ngjeshur me ngjarje e histori ku pikasin; Turi i Maturës (shtetërore) dhe Edi i Diktaturës (shtetërore). Jo pa qëllim vendosa shenjën e barazimit mes të dyve; sepse sado në dilema e trilema t’i kenë futur shqiptarët; të dy personazhet ngjajnë çuditërisht shumë. I pari mbeti një hije e shkuar e së tashmes, se fatin e tij nuk e di njeri. Me shumë gjasa shkëmbinjtë imagjinarë e kanë përpirë pasi ia copëtuan keqas varkën. Ai do vazhdojë të thirret Turi i maturës pikërisht për këtë. Ndërkaq personazhi tjetër; Edi i Diktaturës, në varkën e krimit e të korrupsionit tashmë dridhet se ka 3 shkëmbinj përpara dhe popullin si mal. Turi i maturës do ta kish këshilluar të ndërronte varkë ose të vizitohej te një mjek, por drejtuesi i varkës së krimit nuk dëgjon njeri. Nuk sheh as që ka Venecian kundër, OSBS-ODHIR-in kundër, PE me 534 vota kundër si asnjehërë më parë . Nuk kupton që nuk ka një shkëmb përballë si Turi por tre shkëmbinj gjigantë, nuk përplaset mes dallgëve si Dvorani me shokët e shitur por mes shkëmbinjve.
Acarohet Edi i Diktaturës; Rrëzon nga varka e tij Dvoranin, siç ka rrëzuar më parë shokët Koçon, Fidelin, Beson, Tahirin, Markun, Gjushin, Bushatin, Blushin, Daden, Doklen, Qazimin, Çukon, Ndokën, Roshin, Kajmakun, Peleshin, Dashin…. por prapë shkëmbinjtë janë aty kokëfortë e të patjetërsueshëm ashtu si historia dhe e vërteta. Dihet fati i Ed Diktaturës; varka e Rilindjes do përmbyset bashkë me të. Shkëmbinjtë do jenë aty dhe për shumë shekuj. Shpejt do vijë dita që deti do qetësohet, që edhe shkëmbinjtë do jenë pjesë e peizazhit të historisë pa Edvinë pa diktaturë, pa Turin e pa shpurë…