Maliqi: Vota ime nesër do jetë kundër shkarkimit të Presidentit, dhe kundër turpit të këtij parlamenti

Deputeti opozitar Lefter Maliqi, teksa ka bërë me dije votën e tij kundër nismës së mazhorancës, e cila pritet të miratojë nesër në Kuvend raportin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, thekson se ajo do të jetë një votë kundër turpit të këtij parlamenti të kapur e keqpërdorur këto 2 vite.

“Vota ime nesër do jetë kundër shkarkimit të Presidentit, kundër turpit të këtij parlamenti të kapur e keqpërdorur këto 2 vite. Mos u habisni nga show dhe fletërrufeja ndaj Presidentit pasi nga ai parlament i kthyer në estradë çfarë nuk keni parë, qeshur e dëgjuar këto 2 vite.

Me votat e këtyre janë votuar PPP-të, duke pasuruar oligarkët dhe qeveritarët; është votuar prishja e marrëveshjes së 5 Qershorit në Rezidencën Amerikane, ku më pas u prishën koalicionet dhe u krye masakra më e madhe elektorale me blerje, manipulime, presione. U votua KÇK, duke i përdorur nën presion bandat për zgjedhjet e 25 Prillit.

Vendin e ka mbuluar krimi në qeveri, në parlament, sfilatat në drejtësi dhe varfëria e pasiguria në vend, ku burri vret gruan, vëllai motrën, vjehrri dhëndrin, shoku shokun, vrasje në derë në banesë, në makinë, në rrugë, grabitje, vjedhje, drogë, etj. Seanca parlamentare nesër do futet në histori si turpi dhe dështimi më i madh parlamentarizmit në vend”, shprehet deputeti Lefter Maliqi.

SHKARKO APP