Manastirliu për masat e reja: Cilat mjete do të vazhdojnë të qarkullojnë
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një konferencë për shtyp këtë të enjte bëri publike masat e reja për kufizimin e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.
Mjetet private dhe publike do të ndalohen së qarkulluari në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Lushnje, Fier dhe Vlorë deri më 15 Mars.
“Ndalimin e qarkullimit të mjeteve të transportit publik dhe privat, përfshirë automjetet private, brenda Tiranës dhe Durrësit dhe nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit dhe anasjelltas, duke filluar nga ora 06:00 e datës 13.03.2020 deri në orën 24:00 të datës 15.03.2020. Ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit publik dhe privat, përfshirë automjetet private, në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë duke filluar nga ora 06:00 e datës 13.03.2020 deri në orën 24:00 të datës 15.03.2020”.
Ministrja tregoi se kush bën përjashtim nga rregulli. Autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi me funksion publik dhe ato që transportojnë mallra do të vazhdojnë të jenë në qarkullim sipas udhëzimeve të Policisë së Shtetit.
“Përjashtim nga rregulli i përcaktuar në pikën 1 dhe 2 të këtij urdhri bëhet për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi me funksion publik dhe ato që transportojnë mallra. Autorizimi për qarkullimin e autoambulancave, automjeteve që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra kryhet sipas udhëzimeve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu përjashtohen të gjithë personat me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale të shoqëruar nga vetëm një person”, tha Manastirliu.
Manastirliu siguroi se nuk do të ketë asnjë pengesë në shërbime. Sipas saj këto masa drastike merren për të frenuar përhapjen e koronavirusit.