Mandatet e Leskajt dhe Sulit, mblidhet sot Këshilli i Rregullores
Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve mblidhet sot paradite për të vendosur rreth mandateve të deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, të akuzuar nga opozita se kanë përfituar fonde publike në kushtet e konfliktit të interesit.
Pas shqyrtimit sot në Këshill, të enjten parlamenti do të votojë dhe projektvendimin përkatës, i cili do t’i hapë rrugën dërgimit për interpretim në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të dy deputetëve.
Disa javë më parë, Kuvendi dërgoi në Kushtetuese mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, i cili po ashtu akuzohej nga opozita se ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme.
Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, së bashku me miratimin e amendamenteve për ligjin e funksionimit te komisioneve hetimore dhe atyre në ligjin për dekriminalizimin, janë tre kushtet e vendosura nga Partia Demokratike për rivendosjen e normalitetit në marrëdhënien e saj me parlamentin.
Gjithashtu, burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se sot pasdite do të mblidhet Byroja e Kuvendit,
për të marrë në shqyrtim situatën e tensionit, të krijuar në seancën e fundit plenare, mes deputetit të PS-së, Erion Braçe dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Opozita kërkon marrjen e masave ndaj deputetit Braçe për sjelljen fyese ndaj deputetit Berishës.
KOHA JONË SONDAZH

